English

"Kreatori më i mirë Shqiptar 2009", edicioni i tretë në Prishtinë

Nga Milena Selimi

Tiranë, 12 Dhjetor NOA - Agjencia e modës Gecjan Group në bashkëpunim me RTV 21 dhe shkollën e modës "Design Factory" realizuan edicionin e tretë të spektaklit tradicional "Kreatori më i mirë Shqiptar 2009". Në këtë eveniment që u mbajt në Sheshin 21 në Prishtinë, u prezantuan katër stilistë finalistë, të përzgjedhur në mesin e shumë garuesve të tjerë. Violeta Gruda, Agron Brahimi, Syzajete Kosumi dhe Nysret Bonjaku ishin kreatorët që u përzgjodhën nga juria seleksionuese për natën finale.

Krijimet e punuara me mjeshtri gjatë gjithë vitit nga stilistët garues, u prezantuan para publikut shqiptar në një mbrëmje gala, ku dy juritë profesionale ajo e kreatorit më të mirë shqiptar 2009 dhe juria e vellos dhe e kreacionit më të mirë ekstrem, vlerësuan më të mirët.

Anëtarët e jurisë qendrore ishin: Kryetar jurie, David Priol dizajner nga Parisi dhe profesor në Design Factory, Ronald W Hilt, Nadire Zymberi nga Menakon, Mikel Gecaj përfaqësues i Gecjan Group për diasporë, Valbona Pecani Kida stiliste, Blerina Kllokoci Rugova dizajnere.

Kurse juria e vellos më të mirë shqiptare dhe kreacionit më të mirë ekstrem u përbë nga Aida Saraçini drejtoreshë në Design Factory, Chichi Lam dizajnere nga Kina profesoreshë në Design Factory, Flora Hyseni nga Agjencia e Modës Gecjan Group, Fetije Mehmeti nga Design Factory dhe Valdete Ahmeti fituese e kreacionit më të mirë ekspres për vitin 2008.

Idetë, stili, koherenca dhe origjinaliteti i krijimeve ishin ato tipare që juria i vlerësoi tek sfilatat garuese.

Një natë që ngjalli në vete emocione të shumta si te stilistët garues ashtu edhe tek të pranishmit e shumtë që ishin në sallën e sheshit 21 dhe që për asnjë moment nuk i kursyen duartrokitjet e tyre.

Fitues i kreatorit më të mirë shqiptar për vitin 2009 u shpall Nysret Bonjaku nga Gjilani i cili pos tjerash fitoi të drejtën e plotë të studimit në shkollën e parë profesionale të modës në Kosovë Desig Factory si dhe të drejtën e pjesëmarrjes direkt në javën e modës "Kosova fashion Week 2010".

Nysret Bonjaku ishte edhe fituesi i çmimit, "Velloja më e mirë shqiptare 2009", ndërsa çmimin për krijimin më të mirë ekspres e fitoi kreatorja Violet Gruda

Krijimet e punuara nga stilistët u prezantuan nga 32 modelet e agjencisë së modës Gecjan Group, të cilat u përzgjodhën në mesin e 320 modeleve që aplikuan për të sfiluar në këtë eveniment.

Në këtë spektakël me krijimet e tyre u paraqitën edhe shkolla e modës "Design Factory" si bashkëorganizatore e këtij evenimenti si dhe shtëpia e modës "Menakon" nga Gjilani si mysafir në këtë spektakël.

m.s/e.r/NOA (*) Shkruajini autores: milena.selimi@noa.al

KOMENTE