English

Tahiri: Projektligji i moratoriumit të skafeve, shkel Kushtetutën e Shqipërisë

Tiranë, 13 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka theksuar se projektligji i moratoriumit të skafeve ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë.

"Qeveria miratoi për herë të dytë, projektligjin për shpalljen e Moratoriumit për mjetet motorike lundruese, ose siç rëndom njihet nga të gjithë, moratoriumi i skafeve.

Moratoriumi i skafeve, i miratuar edhe për një periudhë tre vjeçare, ndalon në mënyrë absolute lundrimin e çdo mjeti detar, përfshirë këtu edhe ato mjete që përdoren nga qytetarët shqiptarë për qëllime turistike apo sportive, përcaktim ky që në moratoriumin e miratuar në vitin 2006 nuk ekzistonte.

Sipas moratoriumit të propozuar nga qeveria, asnjë qytetar shqiptar nuk lejohet të lundrojë në det qoftë edhe për turizëm, dhe nuk lejohet të transportojë me makinë në rrugë tokësore mjete lundruese, sepse në të kundërt, ose do shkojë në burg ose do paguajë një gjobë prej 10 milion lekësh" tha Tahiri duke shtuar se ky projektligj shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë, duke cenuar vetë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në mënyrë të pamotivuar përpjesëtimisht me gjendjen që ka diktuar rinovimin e moratoriumit për skafet.

Tahiri e ka hedhur poshtë argumenti e qeverisë se nëpërmjet këtij ligji parandalohen veprat penale të lidhura me trafikun e paligjshëm detar, jo vetëm nuk qëndron, por edhe sikur të justifikohej në vitin 2006, tani nuk mund të justifikohet përsëri.

"Me këtë projektligj Qeveria vetëkriminalizohet, duke i lënë të kuptohet partnerëve tanë ndërkombëtarë se potenciali kriminal i shqiptarëve për trafiqe të paligjshme është në përmasa aq të mëdha sa për ta luftuar, duhet ndaluar tërësisht lundrimi dhe përdorimi i detit.

Qeveria kriminalizon qytetarët shqiptarë, duke i konsideruar automatikisht si trafikantë potencial që duhen ndaluar me masa të tilla radikale. Pra, pikërisht pse qeveria i konsideron trafikantë potencial, me miratimin e këtij moratoriumi, për qytetarët shqiptarë deti duhet të mbarojë te bregu" tha më tej deputeti socialist ndërsa i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës të mos dekretojë projektligjin për moratoriumin e skafeve.

k.k/NOA

KOMENTE