English

Berisha: PD, arkitekte e fitores së zgjedhjeve të vitit 2011, por edhe atyre të 2013-ës

Tiranë, 14 dhjetor, NOA - "Ky është Kuvendi historik i Partisë Demokratike, arkitektes së fitores të zgjedhjeve të vitit 2011, atyre të 2013 dhe projektueses së Shqipërisë në Bashkimin Evropian".

Me këto fjalë ka përshëndetur të gjithë delegatët, por dhe demokratët kudo janë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë Kuvendit Kombëtar të kësaj partie që po zhvillon punimet në mjediset e Pallatit të Kongresit.

"Mblidhemi sot në këtë Kuvend në momentet historike të Partisë Demokratike, datën e themelimit të saj dhe ulemi më krenarë se kurrë për këtë forcë politike e cila e ka mbajtur të pashuar pasionin dhe zotimin e saj për lirinë", tha Berisha.

Sipas tij, Shqipëria nën drejtimin e Partisë Demokratike është kthyer në vendin e të drejtave dhe të lirisë dhe ku çdo shqiptar gëzon më të fundit aspiratat e tij.

"Jemi gati për çdo betejë për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve. Hiqni dorë nga mentaliteti i etërve tuaj", u ka bërë thirrje ai më pas përfaqësuesve të opozitës mbi kontestimin që ata i bëjnë procesit të 28 qershorit.

Ai i ka falënderuar më pas të gjithë demokratët jo vetëm për përmbysjen e regjimit komunist, por edhe gjithë punës së tyre në favor të reformave dhe shkallmimit të bandave dhe korrupsionit tërë këto vite.

"Partia Demokratike qëndron gjithmonë kokulur para sovranit dhe qytetarëve shqiptarë për të plotësuar kërkesat e tyre. Kjo është motoja që do na udhëheqë gjithmonë. Në qeverisjen e saj ajo vendosi gjithmonë qytetarin të parin", tha ai.

Duke i garantuar më pas shqiptarët se aty ku është vuajtja dhe dhumbja, demokratët do të jenë të parët për ta lehtësuar atë.

Sipas Berishës, Shqipëria Evropiane do të jetë me fytyrën më njerëzore të mundshme që do të ketë si prioritet të saj, rritjen e rrogave dhe pensioneve, reformën në shëndetësi apo luftën kundër varfërisë.

"Nuk do të ketë shqiptar që të marrë më pak se 2 dollarë në ditë, Shqipëria duhet të ndahet nga mjerimi dhe Partia Demokratike ka treguar se di t'i mbajë zotimet e saj", tha ndër të tjera kryeministri Berisha.

n.e/NOA - Lexoni më shumë mbi argumentin: Berisha: Mafias do t'i japim përgjigjen e merituar. Qeveria, asnjë kompromis me të

KOMENTE