English

Vitin e ardhshëm energjia elektrike do të rritet me 13%

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 15 dhjetor NOA - Qytetarët shqiptarë dhe bizneset do të përballen vitin e ardhshëm me një rritje të çmimit të energjisë prej 13 për qind. Ky është vendimi i bordit të komisionerëve të Entit Rregullatorë, i cili u publikua sot pas 5 orë diskutimesh me palët e interesit.

Ky institucion ka lënë në fuqi tarifimin me dy nivele të energjisë me qëllim mbrojtjen e shtesave në nevojë, duke hedhur poshtë kërkesën e OSSH-së për të pasur një çmim unik për konsumatorët.

Sipas këtij vendimi qytetarët që konsumojnë deri në 300 kwh nga 7 do të paguajë 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë konsum tarifa arrin nga 12 në 13.5 lekë, pa tatimin mbi vlerën e shtuar.

Drejtuesit e Entit gjatë një deklarate për shtyp argumentuan se këto tarifa i japin mundësi kompanisë që të krijojë të ardhurat e nevojshme për të furnizuar popullatën me energji.

Madje një nga arsyetimet e Entit në përcaktimin e tarifave është edhe mbrojtja e konsumatorit nga veprimi monopol i kompanisë OSSH në treg.

Por këto tarifa janë dukshëm më të ulëta se kërkesa e OSSH-së e cila aplikoi për një rritje prej 23.1% në 2010.

Pas këtij vendimi pritet reagimi i drejtuesve të OSSH-së, të cilët sipas parashikimit do ta ankimojnë atë pranë Entit, brenda 5 ditësh.

Çekët një ditë më parë dolën në konferencë shtypi dhe argumentuan se kërkesa e tyre ishte e justifikuar për shkak të bilancit negativë të kompanisë.

Madje ata iu referuan edhe deklaratës rregullatore e miratuar gjatë privatizimit, sipas të cilës rritja do të ishte e përvitshme me afro 18%.

Një tjetër reagim i pritshëm i çekëve është t'i drejtohen Bankës Botërore, e cila ka dalë garant që qeveria do të rrisë çmimin sipas deklaratës së nënshkruar. Por përfaqësues të Entit u shprehen se marrëveshja për të cilën i referohen çekët është keqinterpretuar prej tyre.

r.l/NOA

KOMENTE