Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Çmimi i Prizrenit
English

Çmimi i Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka një rëndësi të veçantë dhe vetë Kryeministri u investua personalisht për ta fituar atë, por përmbyllja me sukses të plotë e këtij procesi zgjedhor është ndoshta investimi më i madh që i duhet Kosovës dhe Hashim Thaçit

Nga Armand Shkullaku* (Foto: NOA/LSA

Festimi i fitores nga dy kampet kundërshtare në Prizren ishte ndoshta shenja më e keqe që lanë zgjedhjet vendore në Kosovë. Pamjet e militantëve të tensionuar dhe deklaratat e liderëve ngjanin së tepërmi me situatat paszgjedhore në Shqipëri, të cilat shpeshherë kanë kërcënuar seriozisht rendin dhe stabilitetin e vendit. Në mjaft raste kur politikanët shpallin secili fitoren në zgjedhje, ose e thënë ndryshe, nuk pranojnë humbjen, rreziku nuk qëndron vetëm tek trazirat që mund të shkaktojnë militantët e zemëruar. Rreziku më i madh është krijimi i një precedenti që mund të vërë në pikëpyetje vazhdimisht procesin zgjedhor, vetë sistemin demokratik. Mund të krijohet një rreth vicioz i kontestimit të zgjedhjeve që potencialisht çon drejt përplasjeve dhe krizave politike. Në Kosovë një gjë e tillë ndodh për herë të parë dhe do duhej të ndodhte edhe për herë të fundit. Që Prizreni të mos shndërrohet në një precedent dhe që situata politike të mos shkojë drejt acarimit, duhet që KQZ-ja dhe organet e tjera kompetente të veprojnë shpejt dhe në mënyrë transparente. Çështja e fitimtarit në komunën më të rëndësishme pas Prishtinës, është mirë të zgjidhet pa provokuar një krizë më të madhe. Në këtë histori, pesha kryesore bie mbi Kryeministrin Hashim Thaçi. Partia që ai drejton ka dalë përsëri partia e parë në vend. PDK-ja kryeson me komuna dhe me numër votash, duke konfirmuar kështu në njëfarë mënyre edhe qeverisjen në nivel qendror. Në cilësinë e fitimtarit, por edhe të atij që ka përgjegjësinë kryesore për zgjedhjet e lira e demokratike dhe stabilitetin e vendit, Hashim Thaçit i takon të tregojë më shumë maturi dhe përmbajtje se sa kundërshtari politik. Komuna e Prizrenit ka një rëndësi të veçantë dhe vetë Kryeministri u investua personalisht për ta fituar atë, por përmbyllja me sukses të plotë e këtij procesi zgjedhor është ndoshta investimi më i madh që i duhet Kosovës dhe Hashim Thaçit. Për këtë lideri i mazhorancës duhet të ndërpresë deklaratat për fitore derisa KQZ-ja të japë verdiktin final. Ai dhe partia e tij do të ishte e udhës të angazhoheshin publikisht për të bërë të mundur zbardhjen me transparencë të procesit të votimit dhe të deklaroheshin se do të njohin çdo vendim të KQZ-së, pavarësisht se për kë shkon fitorja në Prizren. Një gjë e tillë jo vetëm do ta shtensiononte situatën dhe do t'i ftohte shpirtrat e nxehur nga diferenca shumë e ngushtë mes dy partive, por do të ndikonte dhe evitimin e përplasjeve me LDK-në që mbetet partneri kryesor në qeverisjen qendrore. Po të ndodhte që LDK nuk do t'i njihte zgjedhjet, qoftë edhe në një komunë, procesi do të vihej në pikëpyetje dhe marrëdhëniet brenda koalicionit do të rrezikoheshin seriozisht. Nëse për PDK-në, që ka arritur fitore në shkallë vendi, Komuna e Prizrenit është më shumë sfidë dhe çështje triumfi, për LDK-në ajo përbën mundësinë e vetme për të frenuar përshkallëzimin e krizës. Pa Prizrenin, LDK-ja mund të konsiderohet si humbësja e këtyre zgjedhjeve, krahasuar me PDK-në dhe AAK-në. Asaj i mbetet vetëm Prishtina, një sukses thuajse personal i Isa Mustafës, që dëshmon se politika me standard të dyfishtë, edhe në pushtet edhe në opozitë, nuk është bindëse për elektoratin. Nga ana tjetër, kontestimi që LDK-ja i bën fitores së mundshme të PDK-së në Prizren do të ishte një pengesë serioze për vazhdimin normal të koalicionit qendror. Ajo do të forconte krahun anti-PDK brenda LDK-së, do të shtonte akuzat ndaj Kryeministrit Thaçit, do të rriste presionin për të dalë nga koalicioni e për të prodhuar krizë qeveritare dhe mbi të gjitha do të shtonte mosbesimin për zgjedhje të lira. Në të kundërtën, nëse LDK-ja do ta fitonte Prizrenin, ajo do të shmangte përcaktimin e humbësit dhe pse jo - do të kishte një argument të fuqishëm për të folur për një ringjallje të forcës së dikurshme. Fitorja e Prizrenit do t'i krijonte lidershipit të kësaj partie edhe një alibi të mirë para elektoratit për të justifikuar qëndrimin e mëtejshëm në koalicion, me gjithë kritikat kundër Qeverisë në fushatë. Për PDK-në nuk është e lehtë humbja e një komune si Prizreni, por sigurimi i një qeverisjeje stabile deri në zgjedhjet e vitit 2011 e ka një çmim. Prizreni është një çmim që sigurisht nuk është në dorën e Kryeministrit Thaçi, por në kutitë dhe fletët e votimit. Ajo që ka në dorë Kryeministri është prova dhe besimi që duhet t'i japë jo vetëm partnerit aktual për ta bindur në transparencën dhe distancën ndaj çdo tentative për ta lexuar ndryshe votën, por edhe qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Kosova është e aftë të mbajë zgjedhje të lira dhe demokratike. Rezultati zyrtar dhe jo festimet e konferencat e shtypit ia japin të drejtën një force politike të përcaktohet si fitimtare.Â

(*) Marrë nga "Express"

KOMENTE