English

Gjendet i vrarë 19-vjeçari pranë Delvinës, mister rrethanat

Sarandë, 16 Dhjetor NOA Update- Një 19-vjeçar gjeti vdekjen vetëm pak minuta më parë pasi u gjet i plagosur rëndë pranë vendbanimit të tij në zonën e Delvinës, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA. Ngjarja ka ndodhur 500 metra në dalje të fshatit Bajkaj, i cili ndodhet rreth dhjetë kilometra larg qytetit të Delvinës.

Mbrëmjen e sotme në orën 19.05, 19-vjeçari Fildian Liçaj, lindur e banues në fshatin Bajkaj, u gjet nga disa banorë të zonës, i plagosur rëndë me një plumb arme zjarri.

Me shpejtësi, ai u transportua për në spitalin e Sarandës, ku 15 minuta më vonë, ndërroi jetë.

Mjeku Altin Papa në këtë spital, i tha korrespondentit të agjencisë NOA, se Liçaj ishte goditur me një plumb në shpatullën e majtë, ndërkohë që arma e krimit, një pistoletë TT, është gjetur nga policia, vetëm pak metra larg vendngjarjes.

Në këtë mënyrë, policia dyshon shumë se vendi ku u gjet i plagosuri, është i njëjtë me vendngjarjen.

Policia tha se po heton për të gjetur shkaqet dhe rrethanat në të cilën ndodhi ngjarja dhe autorët e saj.

Paraprakisht, për 19-vjeçarin që vdiq në spital, policia thotë se pak dyshon për një vetëvrasje për shkak se plaga me pistoletë, është marrë në shpatull, çka të bën të besosh se viktima është qëlluar nga pas.

Banorët në fshatin Bajkaj, kujtojnë se ngjarje të ngjashme kanë përjetuar vetëm 5 vjet më parë kur u vra E.Shkrepa, një 22 vjeçar i zonës, i cili pasi ishte goditur me varre në kokë, ishte futur në plastmas dhe ishte hedhur i futur në thes plastmasi në një fushë ku u gjet katër ditësh.

e.b.e.r/NOA

KOMENTE