English

Vdekja e ish-deputetit Çukaj, kryetarja Topalli, ngushëllime në emër të Kuvendit

Tiranë, 20 Dhjetor NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në emër edhe të Kuvendit të Shqipërisë i shprehu sonte "ngushëllimet më të sinqerta e më të thella" familjes së ish-deputetit Lekë Çukaj, i cili humbi jetën në një aksident tragjik. "Humbja e jetës në aksident e ish deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çukaj ishte një lajm i hidhur për të gjithë kolegët, dashamirësit, miqtë dhe veçanërisht për familjen e të ndjerit", - thuhet në mesazhin e dhënë pak orë pas ngjarjes, nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Në këto momente të vështira, - vijon mesazhi, - shprehim ngushëllimet për këtë humbje të parakohshme të personit të dashur, fëmijëve, bashkëshortes dhe të afërmeve.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Lekë Çukaj, ndërroi jetë mbrëmjen e sotme në një aksident rrugor, i dyti brenda katër viteve të fundit për 60-vjeçarin që për disa vite rresht ishte i zgjedhur i popullit për legjislativin shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:30 në rrugën nacionale Fushë Krujë-Tiranë, thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Dy autovetura të markës "Benz", njëra me targa të Shkodrës SHÂ 0252 E dhe tjetra me targa të Tiranës TR 8959 A, janë përplasur mes tyre, duke shkaktuar dy të vdekur dhe një të plagosur.

Viktimat u konfirmuan si ish-deputeti i Partisë Socialiste Lekë Çukaj, lindur më 2 Nëntor 1950, baba i tre fëmijëve, 58-vjeçari Guci dhe bashkëshortja e tij rreth 55 vjeçe, e cila ka mbetur e plagosur dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

e.r/NOA

KOMENTE