English

Durrës, Topi apelon për më tepër vëmendje ndaj fëmijëve më aftësi të kufizuar

Tiranë, 22 dhjetor NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Teuta Topi vizituan Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit në Durrës, ku jetojnë e arsimohen fëmijë me aftësi të kufizuara. Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u pritën nga Kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako, nga Prefekti i Durrësit, Genc Alizoti si dhe nga deputeti Gazmend Oketa.

Kryetari i Shtetit shpërndau dhurata për këta fëmijë, duke i shprehur atyre urimet më të ngrohta, të sinqerta e prindërore me rastin e festave të fundvitit.

Presidenti Topi, përshëndeti fëmijët dhe apeloi shoqërinë shqiptare për më tepër vëmendje ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.

"Përshëndetjen e parë e kam për ju! Dëshiroj t'ju uroj gëzuar Festën e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri! Padyshim që është një kënaqësi e veçantë që unë ndodhem në këtë Qendër. Ndjej një lloj sodisfaksioni, sepse shikoj një solidaritet të plotë human dhe institucional. Mesa duket kjo ka të bëjë edhe me një traditë të vjetër të qytetit të Durrësit, një qytet i lashtë, i cili të jep në mënyrë të qartë dhe shumë elokuente preferencën e vet të drejtpërdrejtë për mënyrën e komunikimit edhe me këtë kategori të veçantë të fëmijëve, të cilët kanë probleme të karakterit ‘motor'. E them këtë, sepse shikoj këtu deputetin, shikoj Kryetarin e Bashkisë, shikoj Prefektin, shikoj njerëz të komunitetit, të cilët janë shumë solidarë me këtë kategori fëmijësh. Shikoj edhe këto kushte të mrekullueshme që janë krijuar dhe natyrisht kur krijohet ky lloj kombinacioni edhe profesionistët e kanë më të lehtë për të përdorur talentin e tyre për të rehabilituar në një kohë sa më të shkurtër fëmijët për t'i kthyer ata në gjirin e familjes biologjike" tha gjatë fjalës së tij Topi/ "Unë dëshiroj sot të jap një apel që të gjithë të marrin një lloj eksperience te kjo Qendër! Kuptohet jo në gjithë Shqipërinë fëmijët e kësaj kategorie kanë të njëjtat kushte.

 Por të gjithë së bashku duhet të japim impulse që fëmijët kudo që të jetojnë të kenë kushte normale për të përballuar, sepse kjo situatë sigurisht që rëndon tek familjarët. Ata kanë një ngarkesë shpirtërore, por kanë edhe probleme që kanë të bëjnë me rehabilitimin e këtyre fëmijëve. Kështu që jam i bindur që shteti, qeverisja qendrore do të bëjnë të pamundurën që kudo, në të gjithë Shqipërinë, kudo ku të ketë fëmijë me të tilla probleme të japin mundësitë që të rehabilitohen sa më shpejt dhe në kushte normale" përfundoi fjalën e tij përshëndetësi, Presidenti Topi.

k.k/NOA

KOMENTE