Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mustafaj: Ikja e Berishës, do të sillte përçarje
English

Mustafaj: Ikja e Berishës, do të sillte përçarje

Tiranë, 22 Dhjetor NOA - Largimi i Berishës nga skena politike do të sillte përçarje në Partinë Demokratike. Kështu mendon Besnik Mustafaj, një ndër kundërshtarët e Berishës. Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin "Opinion" të Tv Klan, shkrimtari dhe politikani i njohur Besnik Mustafaj duke argumentuar se ikja e Berishës do të sillte përçarje, vlerësoi se "ne sot nuk kemi asnjë arsye se Topalli me Bashën mund të bëjnë një ekip bashkë" duke theksuar se "që këtu nis përçarja".

Më poshtë, vijon intervista e plotë:

Blendi Fevziu: Ju jeni një dëshmitar kyç në atë çfarë ndodhi në 9 Dhjetor të vitit 1990 dhe një nga arsyet ishte miqësia me Kryeministrin e sotëm Sali Berisha. Çfarë ndodhi në 9 Dhjetor 1990?

Besnik Mustafaj: Unë në atë kohë së bashku me Sali Berishën dhe Kujtim Çashkun ishim tek Liceu. Ishte e diel, pushim ne po pinim kafe dhe u njoftuam për situatën. Studentët ishin mbyllur në një kohë që regjimi ishte i vendosur të mos i linte të zbriste. Na u kërkua që të ndërhynim në situatën e krijuar edhe pse nuk e dinim se kush ishin drejtuesit e demonstratës. Ishte pikërisht në këtë ditë, kur unë për herë të parë prezantova, Sali Berishën me Azem Hajdarin, dhe kur Saliu i foli studentëve për pluralizmin.

Është e vërtetë që reaguat ashpër ndaj policëve aty?

Saliu po, kurse unë jo. Saliu u nxeh shumë. Unë nuk kam reaguar sepse nuk është dhe në natyrën time të bërtas, të bëjë xheste.

Pse u ngjitët në Qytetin Studenti?

Ne u ngjitëm që në drekë në Qytetin Studenti. Në fakt, unë u ngjita më tepër për të mos e lënë vetëm Saliun se nuk kam ndonjë dell heroi. Kur shkuam në Qytet Studenti, nga pallatet përreth, nga shtëpitë private, populli, hapi dyert për të fshehur studentët. Kjo ishte për mua shenja e parë për të mos pasur më frikë. Pra u dhanë shenjat, se demonstratat nuk do të shuheshin më. Kur e takuam Azemin, ai ishte i vendosur të vazhdonte demonstrimin. Kur ne shkuam, studentët ishin të vendosur që në 10 Dhjetor, pra të nesërmen, të zbrisnin në Tiranë megjithëse, nuk kishte inkurajim nga intelektualë të tjerë.

Pse hezitonit ju?

Nuk dihej se deri ku do shkonte në tolerimin e tij regjimi i asaj kohe. Në Qytetin Studenti duhej pasur parasysh se shumë studentë, ishin bij të komunistëve. Megjithëse inteligjenca sa vinte e po zgjohej.

Sipas jush, ishte inteligjenca që çoi në këtë rrugë, apo hapja e Shqipërisë nga izolimi po vinte nga lart, nga drejtuesit?

Më duket spekulative të mendohet kështu. Nuk kishte asnjë dëshirë të regjimit të asaj kohe për tu hapur dhe unë nuk e kam parë. Edhe tre muaj më vonë, në rrëzimin e bustit të diktatorit, ishte dominues presioni.

Ka pasur teza, se hapja ishte një reflektim i asaj çka po ndodhte asaj kohe në Rusi. Ishte sistemi apo po e çmontonte Ramiz Alia?

Te Ramiz Alia kam parë njeriun hezitant, të paqartë, i cili nuk i propozoi Shqipërisë një version të ri, apo qoftë edhe gradualitet. Ai ishte absolutisht një njeri i paqartë. Ramiz Alia nuk i ofroi në atë kohë Shqipërisë, asgjë që të krijonte përshtypjen se po e hapte vendin.

A jeni i sigurt se Sali Berisha nuk po shkonte në Qytet Studenti në atë kohë, si i dërguar nga Ramiz Alia?

Jam shumë i sigurt, se unë isha tërë ditën me të. Në zyrën e Robert Kolit, studentët na kërkuam të ndërhyjmë për lirinë. Ndërkohë që Qytet Studenti ishte përhapur legjenda se kishte qindra të arrestuar, të plagosur të vrarë, etj. Studentët kërkuan që ne të ndërhynim për lirimin e të burgosurve. Sa na panë nëpër shkallë, na thërritën Sali dhe Besnik. Madje unë u befasova. Ata kur shkuam ne, u ndjenë të inkurajuar. Nuk ishin të organizuar, sigurisht që njihej Azemi apo Arben Broci. Menjëherë sapo shkuam, na kërkuan që të lirohen të arrestuarit. Ne shkuam te zyra e Robert Kolit në atë kohë, se Berisha kishte njohje me të si mjek, shkuam tek ai për të kërkuar këtë gjë. Aty në ato momente erdhi Xhelil Gjoni, pa e ditur që ne ishim aty. Të gjithë së bashku shkuam tek zyra e Xhelilit, i cili na priti me dashamirësi. Aty i kërkuam Xhelilit, që të lironte studentët edhe pse nuk e dinim se sa ishin arrestuar. Sigurisht që ai nuk pati guximin që të thotë menjëherë po, por u lidh në telefon me Ramiz Alinë ku i tha se ka persona që vijnë nga Qyteti Studenti. Menjëherë Alia kërkoi njërin prej nesh në telefon. Me të foli Sali Berisha i cili më pas u takua me Ramiz Alinë në një takim të shpejtë. Unë nuk shkova tek shtëpia e Ramizit, por shoqërova Saliun që e prita jashtë për rreth një çerek ore. Në këtë moment mendova se detyra jonë përfundoi këtu. Isha pa drekë, pa cigare edhe i thashë Berishës të ikim. Aty ai më tha, jo se tani filloi. Ishte pikërisht momenti ku pashë tek Berisha, politikanin. Menjëherë ikëm sërish në Qytet Studenti aty ku Berisha takoi Azemin.

A i kërkoi Berisha studentëve, të merreshin vesh me Ramiz Alinë?

Berisha në 9 dhjetor në darkë, kur ishim me Azemin dhe Arben Brocin, ku u pa se po shtoheshin edhe studentët protestues, u kërkoi të mos dalin të nesërmen në demonstratë në qytet. Aty bërtitën të gjithë studentët dhe i thanë Azemit, na tradhtoi. Turma menjëherë u tensionua dhe aty pashë që Azemi doli para studentëve, me zë të lartë, pa mikrofona dhe u tha: Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë dhe i ther ata nga goja e deri te barku dhe juve nuk ju tradhtoj. Aty turma shtangu.

A kishte Sali Berisha në atë kohë një projekt politik?

Nuk kishte në atë kohë. Ne ishim njerëz që në fund të fundit në ëndrrën tonë, donim liri. Nuk ishim të përgatitur për këtë, ndryshe nga vendet e tjera. Se në Rumani për shembull u derdh gjak. Po të mos ishte ky njeri, mund të shkohej më tej. Vlerësimi i tij si politikan u duk që aty. Mund të them edhe një proverb francez, ku thuhet "të jesh në kohën e duhur në momentin e duhur". Ne ishim aty, u bëmë dëshmitarë të një historie, na rrëmbyen ngjarjet më pas. Në momentet e para, në vitet 90, Berisha filloi të shkëlqejë si mjek. Unë e njoh Berishën që në vitin 1979 dhe interesohej për politikën, por obsesioni i tij ishte Kosova.

Ka pasur një debat gjithnjë, se e veja e Hoxhës, pengonte Ramiz Alinë të ecte përpara, ju e vërenit re këtë?

Nuk kam pasur asnjë miqësi me fëmijët e bllokut. Nuk kam pasur as akses tek asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike. Kam punuar në Institutin e Marksizmit vetëm 13 muaj. Aty redaktoja kujtimet e Haxhi Kroit dhe përktheja. Jam takuar 2-3 herë me Nexhmie Hoxhën.

Si ishte si personazh Nexhmie Hoxha?

Unë u hoqa nga Instituti pas një letre që i shkrova Ramiz Aalisë. Letra krijoi probleme me Sigurimin e Shtetit të asaj kohe. Më pas shkova si përkthyes në Tropojë dhe kur u ktheva, dallova dy gjëra, nga 40 vende autobusi, 8 ishin punonjës të Sigurimit të Shtetit, 30 artistë dhe dy shoferë. Kjo për artistët ishte torturuese. Mora vesh më vonë se një e lagjes ku banoja, kishte bërë një raport se e meritoja të ikja nga Instituti i Marksizmit. Aty u fyeva dhe i shkrova letër Ramiz Alisë me një ton të revoltuar. Pas kësaj unë ika, nuk e njoha Nexhmijen në sjelljen e saj.

Si shpjegohet që Shqipëria mbeti vendi i fundit nga Evropa Lindore që rrëzoi komunizmin?

Shqipëria nuk pati një ideator. Enver Hoxha e izoloi shumë vendin, sepse pa rrezikimin e pushtetit personal. Izolimi nuk i shërbeu shoqërisë shqiptare si një liri.

Në vitet 90-të, pati përmbysje politike apo edhe të elitave?

Shkojnë bashkë të dyja zakonisht në sistemet totalitare. Por nuk pati një asgjësim të elitës së vjetër intelektuale.

Në ‘92-in, ju u emëruat ambasador në Paris. Nuk kishit asnjë eksperiencë në këtë fushë, a u dyzuat për të pranuar?

Sigurisht që e kisha dyzimin. Unë u rizgjova deputet dhe e bëra detyrën time si politikan. Kisha botuar dy libra, isha i lumtur. Më pas Berisha më kërkoi që të shkoj ambasador pasi nuk pranova të hyja në qeveri. Në maj 1992 isha në një takim shkrimtarësh ku gjendej edhe meksikani, poeti Oktavio. Pas diplomat karriere e kishte mbyllur karrierën në Paris. Aty e pyeta dhe i thashë si më këshillon për në Paris. Ai më tha "shko në Paris, se po bëre ndonjë budallallëk, do të thonë normale është shkrimtar dhe po nuk bëre, sërish shkrimtar je". Kjo ishte një nxitje. Unë e bëra diplomacinë me lirinë e shkrimtarit. Sapo shkova në Paris e gjeta qiranë të papaguar, që në fund të vitit ‘90-të. Pas dy ditësh që shkova më thirri një diplomat e më kujtoi qiranë. Unë u ndjeva keq, po ç'ti thoja. I thashë se jam i fyer pasi jam i pari diplomat pas diktaturës që vij në Paris dhe se shkova për të vendosur një erë të re. Ndaj i thashë atij, se e banalizoi takimin në këtë pikë dhe se kam dy rrugë sigurisht edhe me një ton miqësor, që ose të iki nga takimi - të çohem, ose të hapë një çadër në rrugë. Ai më pas më kërkoi ndjesë dhe u vendosën marrëdhënie të mira.

Është e vërtetë që në 5 vite nuk e menduat seriozisht karrierën?

E vërtetë është. Në detyrën time si diplomat, kam pasur një ambicie vetëm, nënshkrova një traktat miqësie të Shqipërisë me një vend perëndimor dhe këtë e bëra në vitin 1994. Menjëherë pata shumë oferta me një pagë 90 herë më të lartë seç e kisha. I thashë në atë kohë, Berishës se kisha ofertë, dhe ai më tha, ti bëj si të duash, por ne na prish punë. Pasi firmosa traktatin dhashë dorëheqjen. Ai e refuzoi, pasi arsyeja ishte se doja të vijoja me letërsinë.

Në vjeshtë të ‘97-ës erdhët në Tiranë, pse u kthyet?

I dhashë dorëheqjen Mejdanit, ditën që është bërë president. U ktheva pavarësisht se pata shumë oferta për të dhënë mësim në universitetet në Francë, por edhe të tjera oferta. Por u ktheva me idenë që doja të isha në ambientin gjuhësor të veprës që po shkruaja. Një detyrim normal ky, që i detyrohesha lexuesit. Por përshtatja e fëmijëve ishte shumë e vështirë.

Çfarë ndodhi mes jush dhe Berishës në vitin 2007?

Gjithë bashkëpunimi im me Berishën që nga themelimi i PD dhe deri në vitin 2007 mbështetej në dy kolona. Së pari angazhimi i përbashkët politik dhe së dyti miqësia. Në një moment një nga këto dy kolona u prish dhe u prish miqësia. Ndaj unë u largova nga kabineti për këtë çështje se u prish miqësia.

Ndërkohë që ju kishit edhe emrin në listat për kandidat të PD-së?

Nuk e kisha dyshimin se nuk e kisha emrin në lista, por doja të riformatoja angazhimin tim në stafin drejtues të PD-së. Për Berishën nuk kishte pse të kundërshtonte për kandidimin tim për postin e kreut të PD të Tiranës. Sapo unë kandidova, Berisha u shpreh pro rivalit tim. Mori pozicion hapur kundër meje dhe përdori strukturat e PD kundër meje. Nuk merrja dot as listën e delegatëve. Prishja e këtyre normave, bëri tërheqjen time nga politika.

Keni thënë se ndoshta riktheheni?

E kam lënë të hapur, se unë jam 50 vjeç, nuk mund të them kurrë.

Me se merreni aktualisht?

Kam krijuar një organizatë joqeveritare, po rritet në nivel ndërkombëtar dhe i kushtoj kohë dhe sigurisht merrem edhe me shkrime.

Më thatë se jeni i lodhur nga politika. Nuk e kam dëgjuar tek askush këtë?

Jam i lodhur nga politika, e thashë edhe në vitin 2007, dhe kam qenë i sinqertë. Nuk kam pas kurrë një lidhje shumë të fortë me pushtetit. Për mua, privilegjet e pushtetit, urdhrat, nuk më kanë dhënë kurë gjë. Për këtë edhe familja ime nuk më ka bërë presion të rrija në poste drejtuese. Japonezët kanë shumë të drejtë, kur thonë, se për tu larguar nuk duhet trimëri, por mençuri.

Këto dy vite që jeni larguar, keni komunikuar me Sali Berishën?

I kam dërguar një mesazh urimi kur Shqipëria u fut në NATO dhe kur u hap tuneli i Kalimashit. Nuk kam komunikuar. Kemi pasur vetëm një takim kokë më kokë kur do bëheshin ndryshimet kushtetuese, për qëndrimet jo të njëjta që kishim.

Pse nuk morët pjesë në Kuvendin Kombëtar të PD-së?

Isha në Sarajevë, në një mbledhje shumë të rëndësishme

Ju jeni zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, do të merrni pjesë në mbledhjet që do të zhvillohen?

Po sigurisht. Nuk po them se do të marr pjesë në të gjitha mbledhjet. Në statutin e ri, nuk parashikohet më frekuenca e mbledhjeve, pra sa herë do të mblidhet Këshilli. Meqë statuti nuk është respektuar në 4 vite, u hoq fare këtë herë. Nuk ka një rregullore të qartë si do të funksionojë këshilli.

Ka qenë i rëndësishëm Këshillit për Berishën?

Jo nuk ka qenë i rëndësishëm dhe unë e kam kritikuar këtë.

A ka debat brenda PD-së?

Ka rivalitete.

A kundërshtohet Berisha brenda PD-së?

Mendoj se nëse do të votohej sipas parimit një anëtarë një votë, Berisha nuk do të votohej as 80 për qind.

A mund të rrëzohet pra Berisha në PD?

Nëse vendosen norma moderne, demokraci e vërtetë në PD, rritet gara hapet procesi. Nuk mund të vihet në dyshim kur për postin e kryetarit kur nuk ka garë.

Ndërkohë që jo pak vota mori në Këshill edhe Topalli...

Po flasim për situata kur mund të hapej gara reale në PD dhe të kishte një sistem selektiv vërtetë mbi vlerë.

Pavarësisht se Berisha e kthen me shaka, një ikje e mundshme e tij si do të ishte?

Do të sillte përçarje, nuk jam optimist. Ne sot nuk kemi asnjë arsye se Topalli me Bashën mund të bëjnë një ekip bashkë. Që këtu nis përçarja.

Kë shihni pasues të Berishës?

Nuk kam, nuk shoh...

Si e komentoni tensionin e krijuar në Shqipëri, kur opozita po bojkoton dhe maxhoranca nuk pranon hapjen e kutive?

Nuk jam aspak optimist. Rama dhe Berisha kanë shkuar aq larg në akuzat e tyre, sa që duket i pamundur dialogu. Madje këtu dëgjova edhe Ambasadorin Holandez, i cili propozoi dialog në nivel të ulët. Unë nuk shoh klimë për kompromisin, as nga Rama as nga Berisha. Për mua Berisha bëri një gabim të madh, në sulmet që i bëri opozitës në Parlament. Ai nuk kishte pse të reagonte në atë mënyrë, kur është një kryeministër i ligjshëm, ka një maxhorancë të mjaftueshme për të qeverisur vendin dhe nuk ka presion nga shoqëria. Në këto kushte, ai duhet të luante rolin e pacifistit. Fjalimi i tij në parlament, është i pajustifikueshëm.

Po vendimin e Ramës për të mos njohur zgjedhjet, si e gjykoni?

Është një vendim parapolitik që nuk mbështetet në asnjë argument. Ligji ishte i qartë në rezultatin që prodhoi. Ishte ligj i propozuar nga PS dhe Rama. Nuk është një qëndrim që prodhon realisht stabilitet politik as perspektivë për PS. Nuk e di se ku do të shkojë.

Si është niveli i letërsisë shqiptare sot?

Në vlerësimin tim letërsia shqipe, ka krijuar dhe vazhdon të krijojë vlera evropiane. Në reagimin tim për konkluzionin e Qoses, thashë se ai vetë ka një vlerë në nivele evropiane. Ai kundërshtoi dhe vlerën e veprës së vet. Ka problem me veten e tij se sa me letërsinë shqipe. Ka vlera denjësisht evropiane letërsia jonë dhe është njohur në botën, frankofone, gjermanike, Itali, anglosaksone etj. Është një letërsi që njihet në një nivel shumë më të mirë se sa ka qenë më parë.

FUND

KOMENTE