English

Olldashi dhe Limaj nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për hapësirën ajrore

Tiranë, 22 dhjetor NOA - U nënshkrua në Prishtinë, nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe homologu i tij kosovarë Fatmir Limaj, memorandumi i mirëkuptimit në lidhje me rolin e mundshëm të Shqipërisë për të qenë pjesë e zgjidhjes për hapësirën ajrore të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Limaj dhe Olldashi biseduan për thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe në veçanti midis dy ministrive.

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua edhe midis përfaqësuesve të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë.

"Besoj se ka qenë një bashkëpunim shumë i frytshëm, gjatë këtyre muajve të fundit kemi arritur në një sërë marrëveshjes.

Kemi një marrëveshje për postat, tre marrëveshje në fushën e aviacionit civil dhe jemi në përfundim të një marrëveshje për transportin rrugor e cila do të jetë shumë e dobishme për transportuesit e dy vendeve" tha Olldashi.

Sipas Olldashit kjo është dëshmi e vullnetit shumë të qartë që ekziston ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për të bashkëpunuar me hapa të shpejta në çdo drejtim.

k.k/NOA

KOMENTE