English

Rregullat e lojës

"Sipas gjykimit tim, mësimi kryesor që duhet të nxjerrin shqiptarët nga kjo krizë është se në demokraci rregullat e lojës janë më të rëndësishme sesa kush e fiton lojën"

Nga Fatos Lubonja Atmosfera që ka krijuar konflikti i kohëve të fundit midis mazhorancës dhe opozitës është e tillë që sikur kërkon t'i heqë trurin e madh shoqërisë, d.m.th., aftësinë për të menduar, racionalizuar dhe konceptualizuar. Kjo sepse të dy palët në konflikt po ngacmojnë trurin e vogël të njerëzve, atë të emocioneve, me gjuhën e urrejtjes e të fyerjes, me eksitimin e militantëve nëpër sheshe, me ftesat për veprim, për rreshtim në një krah apo në tjetrin. Ndërkaq, për një numër jo të vogël njerëzish, që, sipas meje, është mazhoranca e vërtetë, kjo krizë ka thelluar emocione negative dëshpërimi. Ata që nuk jetojnë me emocionet e kësaj lufte civile pa armë, por që, përkundrazi, ndjehen të dhunuar prej saj, thonë shpesh e më shpesh: "Ç'është ky mallkim?!", "Kur do të shpëtojmë nga këta të marrë?".

Sipas gjykimit tim këta të dytët, të dëshpëruarit, janë më pranë mundësisë së racionalitetit sepse një pjesë syresh kërkojnë të dalin nga dëshpërimi me gjetjen e rrugëzgjidhjes. Po ashtu, për fat të mirë, ethja e luftës që u transmetohet militantëve nuk është ende e tillë që t'i nxisë në veprime dhune. Dhe kjo për shkak se kriza është një krizë e përsëritur ndaj të cilës shoqëria ka njëfarë imuniteti. Kjo bën që mendimi racional, ndonëse i pakët, të mos mungojë krejt në shoqërinë tonë. Dhe të mendosh e konceptualizosh në këtë situatë, sipas meje, do të thotë të nxjerrësh disa mësime, që nuk është se nxirren për herë të parë, por që, me përsëritjen, duket se bëhen gjithnjë e më evidente. Sipas gjykimit tim, mësimi kryesor që duhet të nxjerrin shqiptarët nga kjo krizë është se në demokraci rregullat e lojës janë më të rëndësishme sesa kush e fiton lojën. Pra, problemi që na shtrohet përpara më kthjelltësisht se kurrë është se si ta shembim një kulturë të trashëguar nga diktatura, sipas së cilës e rëndësishmja nuk qëndron në rregullat e lojës, por se kush e fiton lojën. Pra, se si të bëjmë pjesë të vetëdijes sonë se më e rëndësishme është të kesh zgjedhje të lira dhe të ndershme, sesa t'i fitosh këto me çdo mjet; të kesh një pushtet gjyqësor të pavarur dhe jo të përpiqesh ta kapësh për fyti pushtetin gjyqësor; të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe jo të kemi dy ligje, një për miqtë dhe tjetrin për armiqtë. Duke i renditur këto ide më duket sikur po rendis një leksion të mërzitshëm, nga ato që perëndimorët bënin në fillim të demokracisë. Dhe nuk ka punë më të mërzitshme sesa të thuash gjëra evidente: jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit, demokraci do të thotë shtet ligjor - "the rule of law". Bëhet edhe më e mërzitshme dhe qesharake përsëritja e këtyre mësimeve evidente pasi është po aq evidente se këto mësime ne nuk i kemi përvetësuar kurrë seriozisht, por vazhdojmë t'i (sh)përdorim me lehtësinë më të madhe. Kriza që po kalojmë e provon këtë, por, po kjo krizë, imponon megjithatë, pikërisht pse është krizë, kërkesën për një zgjidhje jo vetëm në terma afatshkurtra, por edhe në terma afatgjata, si mësim prej saj. Diçka pra duhet bërë. Nga diku duhet filluar për të arritur që edhe në Shqipëri ligji të ketë më shumë rëndësi sesa "maliqi". Me këtë "diçka" nuk kam parasysh zgjidhjet afatshkurtra të tipit që propozojnë kryesisht palët në konflikt: "të hapen kutitë", "harrojini kutitë"; "të hyhet në Parlament", "të vazhdohet bojkoti", "do t'i shkulim dhëmballët e mafisë", "hap kutitë ose largohu!"; as tentativat e fundit të disave për pajtimin e Berishës me Ramën. Sipas meje, kush ndalet vetëm në këtë nivel, thellë-thellë nuk kërkon ndryshimin e kësaj gjendjeje, pasi ajo i leverdis. Me "diçka" kam parasysh disa hapa që më duken thelbësorë për ndryshimin e drejtimit të mbrapshtë që kanë marrë punët e politikës sonë. E vërteta është se ne kemi bërë disa hapa duke ngritur disa institucione të demokracisë, duke hartuar mjaft ligje, por, nga ana tjetër, e dimë shumë mirë se këta janë shumë më pak të rëndësishëm sesa "institucionet" e dhunës, hilesë, ryshfetit, mikut, klanit, etj., me të cilat operojnë politikanët tanë e shoqëria në përgjithësi, nën shembullin e tyre. Të ndërtosh demokracinë, në këtë kontekst, do të thotë se si arrish të dobësosh këta institucione të paligjshme në favor të fuqizimit të institucioneve të ligjshme. Dhe kriza që po provojmë, sipas meje, na mëson se për të arritur këtë duhet të ndalim prirjen e rrezikshme që po na çon në drejtimin e kundërt me këtë. Për të kaluar në një terren më konkret: le të marrim shembullin e institucioneve që duhet të forcohen, duke patur parasysh krizën aktuale. Kriza ka nxjerrë në pah si problem kryesor atë të mungesës së një arbitri autoritar e të padiskutueshëm midis të dy palëve. Me arbitër kam parasysh institucione të tilla si gjyqësori i pavarur, institucioni i presidentit, apo shoqëria civile, mediat, intelektualët. Çfarë ka ndodhur në vendin tonë? Presioni i dy partive në konflikt ka synuar t'i pakësojë fuqitë e këtyre institucioneve me çdo kusht. Ky presion ka qenë aq i madh sa duke e ditur se qoftë edhe thjesht me të shkruara në ligj, disa institucione mund të bëhen nesër të rrezikshme, ata kanë marrë masa që edhe në ligj këta të jenë të dobët. Le të kemi parasysh vetëm faktin se, kur u hartua kodi zgjedhor, dy partitë e mëdha bënë kujdes të mos kishte arbitër, por të kishte përfaqësues të tyre që të kontrollonin njëri tjetrin. Madje hartuan një kod zgjedhor që eliminonte edhe shumë parti të vogla që i kishin nëpër këmbë e që nesër mund të rrezikonin pushtetin e tyre. Po ashtu ato bënë kujdes që Presidenti të ishte i kontrollueshëm nga pushteti i tyre. Nuk po flas këtu për "kujdesin" që ato kanë bërë për të vënë në shërbim të tyre mediat dhe shoqërinë civile që e kam shtjelluar mëse një herë. Dhe e gjitha kjo është bërë në kuadrin e një strategjie të tillë ku të dy palët e kanë imagjinuar veten si forca që, në një të ardhme të afërt, do të arrijnë ta eliminojnë kundërshtarin dhe të mbeten vetëm. Në fakt, nëse qëllimi është ta eliminosh tjetrin, atëhere ç'kuptim ka të përpiqesh për ekzistencën e një arbitri që të arbitrojë ndeshjen midis teje dhe atij? Ç'kuptim ka të flasësh për rregulla loje kur ti mendon se me fitoren tënde mbaron çdo lojë? Mësimi kryesor që del nga kriza është se drejtimi që i ka dhënë vendit kjo strategji, që ka zhvleftësuar nevojën e arbitrit dhe të ligjit, duhet të ndryshojë. Shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të shikojë nevojën e çlirimit prej saj. Ashtu siç u çliruam nga monopartitizmi i partisë së punës sot është detyrë urgjente të çlirohemi nga bipartitizmi PD -PS. Dikush mund të më thotë se nuk mund të vihet në një plan maxhoranca me opozitën, se opozita pikërisht këtë po bën me luftën e saj, po përpiqet të mbijetojë. Për mua opozita nuk po përpiqet të mbijetojë, por të fitojë duke e eliminuar tjetrin. Edhe ajo ka bërë të njëjtin kalkulim si partia e Berishës: se po të vinte në pushtet do të eliminonte tjetrin dhe prandaj i ka interesuar eliminimi i arbitrit. Edhe forma e opozitës që ka zgjedhur, duke injoruar Parlamentin dhe çdo këshillë racionale që i vjen, është e mendësisë se më te rëndësishme sesa rregullat e lojës është fitorja e lojës. Ndërkaq kriza po provon se, për të pasur minimumin e një demokracie dhe lirie që funksionojnë, nuk mjafton ekzistenca e dy partive dhe as lufta midis tyre. Fakti është se me eliminin e arbitrit ai që humbet gjithmonë është më i dobëti, dmth opozita, por edhe vendi mbi të gjitha, sepse atje ku nuk ekziston opozita nuk mund të ketë demokraci. Të çlirohet gjyqsori nga kontrolli i partive, të çlirohen mediat nga kontrolli i tyre, të çlirohen bizneset nga kontrolli i tyre, të çlirohet shoqëria civile nga kontrolli i tyre. Vetëm po u hodhën hapa në këtë drejtim mund të fillojnë të zgjerohen hapësirat e lirisë dhe demokracisë që po ngushtohen përditë. Kjo nënkupton se, midis tjerash, duhen ndryshuar edhe ato vendime e ligje që garantonin kontrollin e partive nga njëra tjetra dhe jo kontrollin e të dyjave nga një arbitër i paanshëm në emër të mbrojtjes së rregullave të lojës dhe interesit publik. Problemi sot ngrihet se kush do t'i detyrojë dy partitë, që të dyja në pushtet, të hedhin këto hapa, dmth. të hapin dhëmbët e darës me të cilët i kanë mbërthyer dhe paralizuar garantët e demokracisë? Kjo është çështja. Dikush do të më bëjë vërejtjen se përderisa këta garantë janë të kapur, ndoshta është më e saktë të thuhet se as nuk ekzistojnë, sepse realisht janë pjesë e dhëmbëve të darës; e kështu vijmë në situatën absurde kur kërkojmë shpëtim nga ai që, për të mbijetuar, ka nevojë të jetë pjesë e darës. Vështirë ta kundërshtosh një vërejtje të tillë cinike që na sugjeron idenë e rrethit vicioz, të gjarpërit që ha bishtin e tij. Por më mirë le të përdorim në këtë rast metaforën e pikës së ujit që një ditë e çan shkëmbin. Duhet ngulmuar përditë, me durimin e pikës së ujit që bije mbi shkëmb, mbi nevojën e arbitrit e të ligjit në formën e një gjyqsori të pavarur, të një presidenti mbi palët (e jo nën palët), të një medieje të pavarur, të një shoqërie civile kritike, që do t'u imponojnë një ditë palëve në konflikt të sillen me vetëdijen se më të rëndësishme janë rregullat e lojës sesa kush e fiton lojën. Situata krizash si kjo që po ndodh janë moment i përshtatshëm që pika e ujit të bjerë me efekt mbi kokat e ngurta.Â

KOMENTE