English

Dy djem, gjoba 60 mijë euro tre biznesmenëve në Vlorë

Vlorë, 26 Dhjetor NOA - Dy djem të rinj i kanë prerë gjoba tre biznesmenëve në Vlorë duke u kërkuar secilit nga 20 mijë euro dhe kërcënuar se do të humbnin shumë nëse nuk ua jepnin këto para. Sipërmarrësit e shantazhuar kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila sot pasdite kreu një operacion special dhe arriti të prangosë dy të dyshuarit, ndërsa përpiqeshin të rrëmbenin trofetë e tyre.

Strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, organizuan dhe konkluduan operacionin e koduar "Target",

në kuadër të të cilit, në Vlorë u bë kapja në flagrancë e 26-vjeçarit Nikollaq Syrja Taullaraj, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me tre vjet burg për "shitje të lëndëve narkotike" dhe Ardit Bashkim Alushaj, vjeç 20, lindur dhe banues në fshatin Armen të rrethit të Vlorës.

Policia e Shtetit tha se arrestimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se nga data 21.12.2009 e në vazhdim nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve kërcënues kanë kërkuar tu marrin tre biznesmenëve në fushën e ndërtimit në qytetin e Vlorës shumën prej 20.000 euro secilit.

Në lidhje me sa më sipër të tre biznesmenët kishin bërë kallëzim pranë strukturave të Policisë së Shtetit dhe nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë kishte filluar procedimi penal për veprën penale të "Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" parashikuar nga Neni 109/b i Kodit Penal.

Dy djemtë, janë arrestuar në flagrancë nga forcat e policisë së Vlorës, në momentin që kanë shkuar për të marrë shumën e eurove të kërkuara tek njëri prej biznesmenëve.

Në momentin e arrestimit këtyre personave u janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale dy pistoleta, një krehër fishekësh me 14 copë fishekë, si dhe 5 aparatë celularë.

"Pas arrestimit të shtetasve Nikollaq Taullaraj dhe Ardit Alushaj, personat dhe provat materiale, janë vënë në dispozicion të Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme", - i thanë NOA-s, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

v.d/e.r/NOA

KOMENTE