English

SOS për më shumë siguri në Vatikan

Incidenti i së enjtes shënon rastin e parë gjatë Papatit pesëvjeçar të Benedictit që një sulmues potencial kishte kontakt të drejtpërdrejtë me të. Nuk është reale të mendohet se Vatikani mund të garantojë 100 për qind siguri për Papën, pasi ai vazhdimisht është i rrethuar nga qindra mijëra njerëz gjatë audiencave javore, meshave dhe ngjarjeve tjera

Nga Associated Press Vatikani do t'i rivlerësojë procedurat e sigurisë pasi një grua e re kapërceu një barrierë dhe u vërsul drejt Papa Benedictit XVI, për herë të dytë gjatë dy viteve, por këtë herë ajo arriti ta rrëzojë atë në dysheme para se të largohej nga pjesëtarët e sigurisë. Papa me këtë rast nuk pësoi lëndime dhe të nesërmen shprehu bekimin tradicional të Kërshëndellave, në 65 gjuhë të botës, nga ballkoni i tij mbi Sheshin e Shën Petrit. Incidenti që ndodhi në Katedralen e Shën Petrit ka ngritur dilema të reja në lidhje me sigurinë e Papës, pasi zyrtarët theksuan se e njëjta grua kishte kapërcyer barrierën edhe në vitin 2008, por atëbotë nuk kishte arritur deri te Papa. Në Romë, zyrtarët italianë tërhoqën paralele ndërmjet incidentit në Vatikan dhe sulmit që ndodhi para dy javësh kundër Kryeministrit të Italisë, Silvio Berlusconi, sulm i cili u ndërmor nga një person me një dosje të problemeve mendore. Si pasojë e këtij sulmi, Berlusconit iu thye hunda dhe dy dhëmbë. Gruaja e përfshirë në incidentin e së enjtes ishte Sussana Maioli, një zvicerano-italiane 25 vjeçare, gjithashtu me një histori të problemeve mendore, e cila është dërguar menjëherë në një klinikë për tretman të mëtutjeshëm. Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Italisë theksuan se ajo jeton në Zvicër, ndërsa agjencia e lajmeve ANSA theksoi se ajo ka udhëtuar për në Romë për të marrë pjesë në meshë, siç ka bërë edhe vitin e kaluar. Në vitin 2008, Maiolo nuk arriti t'i afrohej Papës dhe me shpejtësi u largua nga pjesëtarët e sigurisë. Të enjten në mbrëmje, ajo e kaloi barrikadën dhe vrapoi drejt Papës në momentin kur Benedicti po i afrohej altarit kryesor për ta filluar meshën. Në momentin kur pjesëtarët e sigurisë e rrëzuan atë në dysheme, ajo arriti t'i kapte rrobat e Papës, duke e rrëzuar edhe atë. Pothuajse të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë në meshat e udhëhequra nga Papa. Me këtë rast kërkohet blerja e biletave, por ato sigurohen me lehtësi nëse rezervohen paraprakisht. Kartelat e identifikimit nuk kërkohen gjatë hyrjes në Katedrale, edhe përkundër faktit se vizitorët duhet t'i nënshtrohen kontrollit me detektor të metalit. At Frederico Lombardi thekson se nuk është reale të mendohet se Vatikani mund të garantojë 100 për qind siguri për Papën, duke pasur parasysh se ai vazhdimisht është i rrethuar nga qindra mijëra njerëz gjatë audiencave javore, meshave dhe ngjarjeve tjera. "Duket se ata kanë intervenuar në momentin më të hershëm të mundshëm, në situatën kur synimi ‘zero rrezik' nuk mund të realizohet", theksoi Lombardi. Sidoqoftë, zyrtarët për siguri të Vatikanit do ta vlerësojnë këtë incident dhe do të tentojnë të mësojnë nga kjo përvojë, shton Lombardi. Gjatë papatit të tij pesëvjeçar, kjo ishte hera e parë që një sulmues potencial kishte kontakt të drejtpërdrejtë me Benedictin. Analistët për siguri në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen se Papa është tejet i ekspozuar gjatë paraqitjeve të tij publike. Sipas Lombardit, "njerëzit dëshirojnë ta shohin Papën nga afër dhe edhe ai ndjen kënaqësi kur sheh njerëzit nga afër. Zero rreziku nuk duket realist në një situatë në të cilën Papa ka raport të drejtpërdrejtë me njerëzit". Edhe pse Papa nuk pësoi lëndime pas rrëzimit, diplomati i Vatikanit në pension, kardinali francez, Roger Etchegaray, u rrëzua dhe pësoi thyerje të këmbës pas incidentit. Ai do të operohet gjatë ditëve në vijim. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Prefekti i Romës, Gianni Alemanno, vërejti një rastësi të çuditshme gjatë incidenteve të fundit:"Marrë në përgjithësi, ne duhet të jemi më të kujdesshëm, ngase në botën e hapur dhe të globalizuar numri i njerëzve me çrregullime dhe agresivë mund të shtohet".

KOMENTE