English

Juliana Pasha, këngëtarja fituese e Festivalit 48 të këngës

FOTOT

Nga Milena Selimi

Tiranë, 28 dhjetor, NOAÂ - Vetëm pak ditë më parë këngëtarja Juliana Pasha kishte pohuar se "Nuk kam asnjë opinion deri tani për këngët konkurruese dhe nuk mendoj se mund të jem fituese". Ndërsa nata e fundit e Festivalit në RTSH, me një votim pothuaj unanim të jurisë e nxori fituese këngën e saj "Nuk mundem pa ty", kompozuar nga Ardit Gjebrea, me tekst nga Pirro Çako & Ardit Gjebrea, orkestruar nga Shpëtim Saraçi.

Në vendin e dytë u rendit kënga "Në pasqyrë", një kompozim nga Sokol Marsi, kënduar nga Anjeza Shahini dhe vendin e tretë e fitoi kënga "Gjëra të thjeshta", kompozuar nga Kristi Popa, kënduar nga Kamela Islami.

Festivali u prezantua nga Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, të dy për herë të parë në këtë eksperiencë skenike, ku veç këngëve në konkurrim u vunë re edhe elemente të spektaklit, që i shkojnë për shtat këtij aktiviteti muzikor të fundvitit.

Juliana Pasha, ka mëse dhjetë vite karrierë muzikore dhe është ndër të paktat artiste që këndon pa problem "live". Për vite të tëra ajo këndon muzikë blues, soul dhe pop, ndërsa ka konkurruar vazhdimisht në festivale. Kjo është fitorja e saj e parë në këtë eveniment të muzikës së lehtë shqiptare.

"Nuk mundem pa ty" do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2010, në Norvegji, në muajin prill.

n.e/NOA

KOMENTE