English

Rama: Dialog me Berishën? Patjetër, por të jetë i vërtetë dhe i barabartë

Tiranë, 29 dhjetor, NOA - Opozita është gati që të zhvillojë dialog me qeverinë, por ai duhet të jetë i vërtetë dhe i barabartë. Kjo deklaratë është bërë sot publikisht nga kreu socialist, Edi Rama, i cili ka theksuar se debati nuk mund të zhvillohet në asnjë mënyrë nëse qeveria nuk vendos të hapë kutitë e votimit të 28 qershorit.

"Berisha thotë se nuk i hap kutitë se gjoja del kundër vendimit të gjykatës, por të gjithë e dinë se çfarë fshihet aty brenda. Ta harrojë se mund të ekzistojë një dialog sa për ta kthyer opozitën në parlament", tha Rama lidhur me një fakt të tillë.

Më tej, ai ka shtuar se opozita këmbëngul për hapjen e kutive të 28 qershorit sepse aty nuk flitet për interesin e saj si palë, por për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

"Ajo ka të bëjë me fatin e shtetit të së drejtës dhe shqiptarëve që kërkojnë drejtësi", shtoi kreu i selisë rozë.

Sipas tij, Berisha i hakërrehet opozitës si i marrë, por nuk e ka fajin opozita për 26 viktima të Gërdecit dhe miliona euro të keqshpenzuara të rrugës së kombit.

"Këto janë zullumet e njeriut që me zullumet e tij kërkon të gjunjëzojë opozitën", tha ai ndër të tjera.

Më pas, Rama ka përmendur edhe dhjetëra e dhjetëra padi që presin Berishën në prokurori dhe gjykatë, të dorëzuara nga opozita.

"Le të çojë prova për ato që thotë, por ai nuk ka se di vetëm të gënjejë. Shpifjet dhe gënjeshtrat e tij do të dalin sado të zgjasë tulatja e prokurorisë dhe gjykatave", përfundoi deklaratën e tij Rama.

n.e/NOA

KOMENTE