English

Basha në Spanjë, sigurohet për mbështetjen e liberalizimit të vizave

Tiranë, 30 dhjetor NOA - Â Ministri i Brendshëm i Spanjës, Alfredo Rubalcaba ka siguruar sot gjatë një takimi, homologun e tij shqiptar Lulzim Basha se Spanja në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010, do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Ministri Rubalcaba e ka siguruar ministrin Basha se në funksionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ai do të angazhohet maksimalisht për shqyrtimin pa vonesë të propozimit formal të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo të kenë përfunduar misionet e monitorimit.

Basha informoi homologun e tij mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumenteve të identitetit dhe të sigurisë së kufijve.

Ai informoi gjithashtu në takim mbi rezultatet e larta të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit.

Basha u shpreh se goditja e mbi 200 grupeve të krimit të organizuar gjatë katër vjetëve të shkuar, tashmë pasohet me një fazë të re të goditjes së kriminalitetit që synon bllokimin e burimeve financiare të krimit të organizuar, nëpërmjet paketës ligjore "Antimafia" dhe ligjit për konfiskimin e aseteve.

Në të njëjtën kohë zgjatja e moratoriumit për mjetet e shpejta të lundrimit në det dëshmon se qeveria shqiptare ka vullnetin e hekurt për të mos lejuar përdorimin e territorit shqiptar për trafiqet e paligjshme.

Dy ministrat ranë dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes policisë shqiptare dhe policisë spanjolle në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

k.k/NOA

KOMENTE