English

Elbasan, incidentet në ndërrimin e viteve sjellin një të vdekur e 19 të lënduar

Elbasan, 1 Janar 2010 NOA - Një person ka mbetur i vdekur, tetë të tjerë të plagosur rëndë dhe të paktën 12 të tjerë kanë kërkuar ndihmë spitalore përgjatë orëve të para të vitit 2010 në incidente të ndryshme, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Në rrugën "Qamil Guranjaku" pranë universitetit "Aleksandër Xhuvani" të qytetit Elbasan, një i ri ka gjetur vdekje të menjëhershme pasi në humbje e sipër të kontrollit të motoçikletës që drejtonte, u përplas fatalisht me murin rrethues të godinës universitare.

Ndërkohë, burime në urgjencën spitalore i thanë korrespondentit të NOA se tetë persona, kryesisht djem të rinj, kanë përfunduar nën ndërhyrje mjekësore për shkak të plagëve serioze të marra në disa aksidente që ndodhën duke nisur nga minutat e para të vitit të ri dhe deri sot pasdreke.

Mjekët në urgjencën spitalore pohuan se u përballën dhe me viktima të të tjerave incidente.

Kështu gjashtë persona, kryesisht fëmijë, kanë përfunduar me djegie në shkallë të lehtë, për shkak të fishekzjarrëve dhe shashkave që u hodhën në rrugët kryesore të qytetit Elbasan, gjatë minutave të para të 2010.

Mësohet se më së shumti, të lënduarit ishin dhe vetë protagonistët e hedhjes së shashkave që ende qarkullojnë lirisht në tregjet shqiptare.

Po ashtu edhe pesë persona mbërritën duke kërkuar ndihmë mjekësore, të helmuar nga ushqime të ndryshme që kishin konsumuar gjatë darkës tradicionale të natës së ndërrimit të viteve.

Mjekët thanë se asnjë nga personat që kërkuan ndihmë në urgjencë, nuk paraqet rrezik për jetën dhe pjesa më e madhe e tyre pasi morën ndihmën e parë u larguan për në banesat e tyre.

a.k/e.r/NOA

KOMENTE