English

Barak Obama, një vit president i Shteteve të Bashkuara

Uashington, 3 Janar NOA - Presidenti Barack Obama shënon përvjetorin e parë në detyrë më 20 janar. Zoti Obama ka kaluar një vit plot sfida në përpjekje për të rigjallëruar ekonominë amerikane, për të reformuar sistemin e kujdesit shëndetësor dhe për të siguruar mbështetje publike për luftën në Afganistan, si dhe një kërcënim terrorist ditën e Krishtlindjes. Në vazhdim u hedhim një vështrim ngjarjeve kryesore që i dhanë tonin presidencës Obama në vitin e saj të parë.

Si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara, Obama mori detyrën plot ambicie për të përmbushur thirrjet e publikut për ndryshim: "Sot jemi mbledhur këtu pasi kemi zgjedhur shpresën mbi frikën, unitetin në synimet tona mbi konfliktin dhe përçarjet", tha ai. Por vullnetit të mirë dhe shpresave të mëdha të janarit shpejt ua zuri vendin realiteti i vështirë i zbatimit të reformave në një Uashington të përçarë politikisht. Nathan Gonzales është analist politik. Ai thotë: "Ai erdhi në detyrë duke mbartur me vete shpresat e mëdha të amerikanëve dhe një mbështetje të gjerë, por vënia në jetë e këtyre synimeve ka qenë e vështirë." Theksi fillestar ishte tek sektori financiar, shpëtimi i industrisë automobilistike dhe reformat në kujdesin shëndetësor. Por përpjekjet për reformimin e kujdesit shëndetësor hasën në kundërshti të forta nga republikanët, që po përpiqen të konsolidohen politikisht pas humbjeve në 2008-n. Republikanë si udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër, ishin kundër reformës që e kritikonin si shumë të kushtueshme dhe si ndërhyrje e tepruar e qeverisë. "Problemi më i madh që kanë nënvizuar ekonomistët lidhur me faktin që bizneset nuk marrin njerëz në punë, janë politikat që po ndjek kjo administratë dhe ky Kongres.", thotë Bejnër. Zoti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë me përqindje të larta të mbështetjes në publik. Por mbështetja për presidentin ka shënuar rënie të ndjeshme muajt e fundit, ndërkohë që kundërshtarët e tij tërheqin më shumë njerëz me argumentet e tyre. Peter Broën është specialisht anketash, i cili shpjegon: "Amerikanët e pëlqejnë Barack Obaman, por nuk mbështesin në të njëjtën masë politikat e tij." Republikanët kundërshtojnë politikat e tij ekonomike dhe të kujdesit shëndetësor, ndërsa demokratët kanë shprehur shqetësim lidhur me vendimin e presidentit për të shtuar trupat në Afganistan. Robert Barosage punon për grupin liberal Fushata për të Ardhmen e Amerikës. "Ashtu si Lyndon Johnson, ai ka para vetës një sfidë madhore, që nëse shton trupat e dislokuara në Afganistan dhe gjendja vazhdon të jetë problematike, me kalimin e kohës mund të ngecemi në një qorrsokak që do të shterronte burimet financiare dhe njerëzore dhe përkrahjen e entuziazmin e rinisë, pakicave, e liberalëve. Kjo do ta mpakte aftësinë e presidentit për të vënë në zbatim axhendën e tij ambicioze", thotë zoti Barosage Republikanët e kanë përshëndetur vendimin për shtim trupash. David Frum ka punuar në stafin e Presidentit Xhorxh Bush. Ai thotë: "Për ata që prisnin një ndryshim dramatik në politikën e jashtme amerikane, vështirë se do e gjejnë një gjë të tillë. Në Afganistan, në Guantanamo, në përgjigjen ndaj terrorizmit, në Kinë, në Indi, ka pasur përgjithësisht një vazhdimësi të politikave të Presidentit Bush më shumë se ç'e kishin parashikuar të gjithë." Qëndrimi realist i presidentit ndaj politikës së jashtme u duk edhe gjatë fjalimit në Oslo, ku pranoi Çmimin Nobel të Paqes. Zoti Obama i doli në mbrojtje parimit të luftës së drejtë, duke thënë: "Duhet që në fillim të pranojmë të vërtetën e pamohueshme se konfliktet e dhunshme nuk do të marrin fund gjatë ekzistencës sonë. Do të ketë periudha kur vende të ndryshme, qoftë në mënyrë individuale apo të bashkërenduar, do të jenë para realitetit kur lufta nuk është thjesht e nevojshme, por moralisht e justifikueshme." Por brenda vendit presidenti përballet me një betejë politike ndërkohë që fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e nëntorit 2010 për Kongres. Historikisht partia e presidentit humbet vende në Kongres në zgjedhje të tilla, thotë analisti Nathan Gonzales: "Presidenti duhet të sigurojë miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe të bindë popullin amerikan për këto masa, në mënyrë që të ndihmojë demokratët që konkurojnë për vende në Kongres." Zgjedhjet e nëntorit për Kongres do të jenë një provë e rëndësishme për presidentin, ndërkohë që votuesit analizojnë arritjet e tij në politikat e brendshme dhe ndërkombëtare./voa/

KOMENTE