English

Britania e Madhe dhe SHBA-ja duan të forcojnë policinë në Jemen

Londër, 3 Janar NOA/DW - Britania e Madhe dhe SHBA-ja duan që në luftën kundër terrorizmit të mbështesin më fuqishëm Jemenin. Kryeministri britanik Gordon Brown kumtoi në Londër se ai ka rënë dakord me Presidentin amerikan Barack Obama për të ndihmuar financiarisht këtë vend arab në krijimin e një njësie antiterroriste policie.

Gjenerali amerikan David Petraeus është takuar në kryeqytetin e Jemenit Sana me Presidentin Ali Abdallah Saleh.

Rrjeti televiziv CNN njofton se Presidentit Saleh ai i ka ofruar ndihma të tjera amerikane në luftën kundër terrorizmit.

Rrjeti terrorist El Kaida në Jemen ka marrë përgjegjësinë për sulmin në një avion amerikan me 25 dhjetor, i cili është evituar vetëm ne sajë të reagimit të shpejtë të udhëtarëve.

Më parë Presidenti amerikan Barack Obama, në fjalimin e tij javor në televizion dhe radio, fajësoi drejtpërdrejt El Kaidën në Jemen për trajnimin dhe furnizimin me masën shpërthyese të nigerianit, i cili deshi të kryejë atentatin ndaj një avioni amerikan, që po udhëtonte nga Amsterdami në Detroit.

Obama tha se SHBA-ja do të kërkojë llogari nga rrjeti rajonal terrorist i El Kaidës.

KOMENTE