English

Ju jeni heronj

"Ju jeni heronj, jeni heronj sepse me punën tuaj arrini të bëni më të mirën, me mundin tuaj ju arrini aty ku çdokush do të donte të arrinte dhe në bashkëpunim me mësuesit dhe mësueset, pavarësisht vështirësive që kanë prindërit, pavarësisht pamundësive që kanë familjet e sakrificave të jashtëzakonshme që bëjmë të gjithë së bashku, juve ia dilni mbanë që të tregoni se në këtë vend nuk është absolutisht e pamundur që të jesh brilant"

Edi Rama

Kryetar i Bashkisë së Tiranës*

"Unë dua që të flas ca fjalë lidhur me ju, me shembullin tuaj sepse besoj që Bashkia e Tiranës ka bërë pa dyshim atë që i takon për të vlerësuar dhe respektuar shembullin tuaj si nxënësit dhe nxënëset me të gjitha 10-ta, por jam i bindur se Bashkia e Tiranës, i gjithë komuniteti ynë mund dhe duhet të bëjë akoma më shumë për ju dhe jemi këtu sot për të folur për atë që mund të bëjmë, në vijim të vlerësimit tuaj por edhe për ta kthyer shembullin e secilit prej jush, në një shembull që nuk mbetet thjesht brenda mureve të klasës, por të kthehet në një shembull për të gjithë brezin tuaj, në një shembull për të gjithë komunitetin.

10-tat tuaja nuk janë vetëm tuajat, por janë edhe 10-tat e të gjithë atyre që duan të jenë si ju dhe që mund të jenë si ju, duke punuar si ju por edhe duke mësuar mbi shembullin tuaj.

Ju patë para pak minutash një nismë që lidhet me krijimin e revistës "TEN" që do të jetë revista juaj. Bashkia e Tiranës do ta mbështesë këtë revistë dhe do të lehtësojë koordinimin e energjive, ideve, mendimeve tuaja, të mësuesve, të ekipeve drejtuese të të gjitha shkollave tuaja, por ne duam që kjo të jetë revista juaj, ne duam që autorët e kësaj reviste të jeni ju, ne duam që nëpërmjet kësaj reviste, ju dhe mësuesit tuaj të forcojnë dëshirën e shembullin, sepse unë jam i bindur që shoqëria jonë, kryeqyteti ynë, çdo komunitet brenda tij, ka nevojë për shembullin tuaj.

Unë jam i bindur që shembulli juaj mund të vlejë për plot fëmijë të tjerë, ashtu sikurse jam i bindur që vetë ju mund të bëni diçka më shumë edhe për të tjerët, për shokët e shoqet tuaja të klasës apo të shkollës dhe më gjerë se kaq.

Nga ana tjetër, kjo revistë është vetëm një ide dhe pa dyshim së bashku ne do ta bëjmë atë një produkt, por nuk mjafton. Ashtu sikundër kjo është një ide që ka lindur duke dëgjuar disa prej jush, plot të tjerë nga ju kanë plot ide të tjera dhe kanë plot gjëra të tjera për të thënë dhe për të sugjeruar.

Kjo revistë do të shërbejë edhe si një urë komunikimi për t'i thënë e për t'i artikuluar këto ide por njëkohësisht është e rëndësishme që të krijohen edhe mundësi të tjera dhe unë dua t'ju flas edhe për një mundësi tjetër që do të krijohet në ditët në vijim për komunitetin e të rejave dhe të rinjve të kryeqytetit, por që përsëri do të ketë në qendrën e gravitetit të vet, nxënësit me të gjitha 10-ta.

Është fjala për hapjen e një qendre multifunksionale në ish-kinema Dajti, një qendër e cila do t'i ofrojë secilit prej jush dhe çdo bashkëmoshatari dhe bashkëmoshatareje tuaj, mundësinë për të kaluar orë të kohës së lirë dhe për të marrë mësime nga më të ndryshmet, lidhur me artet apo me shkencat dhe njëkohësisht për t'i dhënë mundësi atyre që ndër ju do të kenë më shumë dëshirë dhe më shumë kuriozitet dhe interes për t'u angazhuar drejtpërdrejt në këtë qendër, që të jeni jo vetëm ata që mësoni diçka më shumë, por edhe ata që mësoni të tjerët.

Unë besoj se hapja e kësaj qendre në ditët në vijim, do të jetë një lajm i mirë dhe do të jetë një mundësi që ju do ta shikoni e prekni vetë.

Në inaugurimin e qendrës ju do të jeni të ftuarit e parë dhe pa dyshim bashkë me ju, ne do të shohim çdo mundësi për administrimin sa më të mirë të kësaj qendre.

Nga ana tjetër, përveç revistës dhe përveç qendrës ne duam në fakt të bëjmë edhe plot gjëra të tjera, kështu që së bashku me mësuesit tuaj edhe me ndihmën tuaj, duam që të krijojmë një bord të nxënësve më të gjitha 10-ta, që të diskutojë e të përcaktojë projektet më interesante që ju do të bëni, për t'i realizuar në bashkëpunim me ne.

Këtu kam parasysh gjithfarë projektesh të karakterit artistik, kulturor, të karakterit shoqëror dhe do të jenë në radhë të parë fryt i dëshirës suaj.

Sot, dua të falënderoj njëkohësisht edhe mësuesit dhe mësueset që ka në një rol kryesor në këtë sukses që ju arrini çdo vit.

Kur kam propozuar në fillim fare idenë e bursës për nxënësit me të gjitha 10-ta, nuk kam patur vetëdijen e plotë, lidhur me se sa shumë kjo bursë do të ndikonte, në radhë të parë moralisht mbi ju, familjet e mësuesit tuaj dhe fakti që sot, ne kemi pas kaq vitesh që japim këtë bursë një numër kaq të konsiderueshëm nxënësish e nxënësesh me 10-ta, ka të bëjë pa dyshim ndër të tjera edhe më këtë stimul, i cili më shumë se sa material, është një stimul i madh moral, është shprehje e respektit që i gjithë komuniteti ka për ju, çdo qytetar shqiptar i Tiranës ka për ju.

Ju jeni heronj, jeni heronj sepse me punën tuaj arrini të bëni më të mirën, me mundin tuaj ju arrini aty ku çdokush do të donte të arrinte dhe në bashkëpunim me mësuesit dhe mësueset, pavarësisht vështirësive që kanë prindërit, pavarësisht pamundësive që kanë familjet e sakrificave të jashtëzakonshme që bëjmë të gjithë së bashku, juve ia dilni mbanë që të tregoni se në këtë vend nuk është absolutisht e pamundur që të jesh brilant dhe duke qenë brilant, ju jo vetëm siguroni një vend të nderuar për të gjithë jetën në shoqëri por edhe t'i jepni mundësi shoqërisë që të ndiejë se në qiellin e saj ka yje që shkëlqejnë. Ju jeni yjet që shkëlqejnë në qiellin e sotëm që ka nevojë për shumë më tepër dritë, por pa asnjë dyshim jeni edhe siguria se edhe qielli i së nesërmes do të vazhdojë të shkëlqejë dhe unë ju jam shumë mirënjohës.

Në këtë takim, që në fakt për hir të vërtetës, lindi atë ditë të festës së Vitit të Ri, tek qendra "Kristal", ku numri i madh i nxënësve dhe i prindërve na e bëri të pamundur një festë normale dhe unë u ndjeva në borxh me ju dhe të gjithë prindërit tuaj, sepse pavarësisht atyre ëmbëlsirave që u hëngrën të gjitha me sukses të plotë dhe pavarësisht se një pjesë arriti të shohë edhe filmat që ne kishim përgatitur, një pjesë tjetër nuk arriti të merrte të gjithë kënaqësinë që ne e kemi detyrim t'ua japim juve, sa herë të na jepet mundësia. Për këtë arsye, kjo është edhe një ngjarje e vogël modeste, për të festuar të gjithë suksesin e vitit të kaluar dhe për të hapur Vitin e Ri me ide e projekte të reja.

Unë dëshiroj që këtë ditë, përpara fillimit të Vitit të Ri intensiv me mësime dhe me shkollë, ta bëjmë një ditë tradicionale dhe në çdo të shtunë të parë të pas-festave, ne të takohemi sëbashku për të vlerësuar shembujt e veçantë ndër ju, sepse edhe ndër më të mirët ka akoma më të mirë dhe njëkohësisht për të folur së bashku për projekte të reja.

Jam i lumtur që për herë të parë në vlerësimin modest por edhe shumë domethënës që Bashkia bën çdo vit për "10 Personalitetet e kryeqytetit", ishte një ndër ju, Jonida Ndreu, e cila u vlerësua dhe mori çmimin si një ndër "10 Personalitetet e Vitit", sepse nuk është një çmim si të gjithë të tjerët, ku vlerësohen vetëm ata që janë gjatë gjithë kohës në ekran. Nuk është ky personazhi i vitit, ku publiku vlerëson vetëm ata që sheh gjithë kohën në ekran. Është një çmim që ne kemi ndërtuar për të nxjerrë në dritë shembuj, qytetarë e qytetare që mund të mos jenë të njohur për të gjithë, por që duhet që të gjithë t'i njohin sepse janë shembuj që frymëzojnë, janë shembuj që nxisin e që bëhen pika referimi dhe unë dëshiroj që çdo vit të ketë një ndër ju, që të çmohet si një ndër "10 Personalitetet e qytetit të Tiranës".

Sot jemi këtu për gjithçka ndodhi deri tani e për atë që do të ndodhë në minutat e mbetura, të bëjmë ca vlerësime që janë shprehje e respektit për ata që janë shembuj akoma më të spikatur, sepse edhe në qiell ka yje që xixëllojnë më shumë apo më pak, të gjithë yje janë, por midis tyre ka yje edhe më të spikatur. Sigurisht, nëse do të duhej të bënim një vlerësim shkencor, do të duhej të vlerësonim shumë prej jush, por do të duhet të vlerësojmë disa, për t'i shprehur mirënjohjen të gjithëve në fakt.

Dua që sot t'i japim një vlerësim:

Klasës së gjashtë -b- të shkollës "Sabaudin Gabrani" sepse ka 15 nxënës me 10-ta. Janë 15 nxënës që marrin edhe bursën e qytetit të Tiranës, si nxënës me të gjitha 10-ta.

Ndërkohë, nuk është e vetmja klasë, ka një klasë tjetër që ka 15 nxënës me të gjitha 10-ta dhe është klasa e gjashtë -d- e shkollës "Jeronim De Rada".

Një klasë tjetër që është ndër klasat më të shquara dhe me më shumë rezultate pozitive është klasa e tretë -4- e shkollës "Qemal Stafa".

Përsëri një shkollë shumë e njohur, me emër shumë të madh, klasa e katërt -2- e shkollës "Ismail Qemali".

Një tjetër medalje do t'i jepet një shkolle e cila ka klasat me më shumë nxënës me 10-ta dhe kjo është shkolla "Ismail Qemali".

Një klasë tjetër, një medalje tjetër që është shkolla që ka klasat me më shumë nxënës me të gjitha 10-ta është shkolla "Emin Duraku".

Një medalje të veçantë për një nxënëse me të gjitha 10-ta, nga klasa e parë deri në vitin e katërt, të cilin kam privilegjin ta ftoj këtu, Xheni Marku.

Me të drejtë, nxënëset edhe nxënësit që dolën këtu nënvizuan dhe unë çmoj edhe njëherë me shumë zemër, edhe rolin e mësuesve të tyre. S'ka asnjë dyshim, që përtej të gjithë vështirësive, përtej të gjithë pamundësive në këtë qytet dhe në shkollat e këtij qyteti, ka jo pak, por shumë mësuese dhe mësues që meritojnë përuljen e thellë të të gjithëve ne, për gjithçka bëjnë, sepse pa dijet pa përkushtimin e sakrificat e tyre, nuk diskutohet që do të kishim shumë nxënës me 10-ta, por 10-tat nuk do të kishin vlerë, sepse nuk do të ishin 10-ta të vërteta, siç janë 10-tat tuaja.

Në mbyllje, unë dëshiroj të shpreh të gjithë respektin për një karrierë të gjatë dhe të ftoj këtu një mësuese që ka edukuar breza të tërë nxënësish dhe që ka kaluar në duart e saj plot përkujdesje, pafund nxënës me 10-ta, në dekada të tëra, një zonjë nga shkolla "Besnik Sykja" që quhet Lindita Murthi.

(*) Fjala e mbajtur sot në ambientet e Akademisë së Arteve rreth 600 nxënës të dalluar të kryeqytetit

KOMENTE