English

Sherri në autobuz për shtyrjet, vritet me thikë pasagjeri, kapet i dyshuari

Tiranë, 11 janar NOA/Update/Klodiana Kotorri/- Grindjet banale në autobus për shkak të ngjeshjeve mes pasagjerëve jo gjithmonë përfundojnë me "më fal" apo "frenoi shoferi s'kam ç'bëj" dhe më pas secili në punën e tij.

Të paktën një grindje me këtë motiv nuk ka përfunduar paq sot në linjën ndërurbane te autobusit Tiranë-Ndroq ku protagonistë ishin dy burra.

Autobusi i mbushur plot me pasagjerë duket se ka krijuar shtyrje mes këtyre të fundit ku dy prej tyre pikërisht 37-vjeçari Arben Goga dhe 42-vjeçari Nezir Malliku nuk kanë tentuar ta anashkalojnë incidentin.

Përkundrazi mes tyre ka nisur një debat me fjalë banale i cili ka zgjatur për disa minuta.

Megjithëse kanë ndërhyrë dëshmitarët për t'i shkëputur dy burrat, ata nuk janë zmbrapsur por kanë vazhduar debatin për të vënë secili prej tyre "nderin" në vend.

42-vjeçari Nezir Mallkiu duket se ka qenë më i "prekuri" nga debati i cili ka vendosur t'i japë fund duke nxjerrë një thikë për të goditur disa herë kundërshtarin e tij të cilin po e shihte për herë të parë në jetën e tij.

Pasi e ka kryer ngjarjen, 42-vjeçari është larguar menjëherë për t'i shpëtuar prangave të policisë pa e ditur se në ndjekje të tij ishin vënë jo pak por 150 forca policie të cilat u drejtuan nga krerët e policisë së Tiranës për të gjetur me çdo kusht autorin e kësaj vrasjeje.

Ndërkohë që 37-vjeçari Goga u transportua menjëherë në spital por nuk mundi të arrinte gjallë në duart e mjekëve.

Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se autori i dyshuar i ngjarjes u kap nga forcat e policisë vetëm një orë pas krimit në kodrat e fshatit Ndroq të Tiranës.

Ai u shoqërua në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës ku pritet të merret në pyetje.

Sipas policisë janë marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes të cilët shpjeguan se gjithçka ndodhi pas një grindje të çastit mes dy burrave për shtyrjet fizikisht të nisura pa dashje në autobus.

k.k/NOA

KOMENTE