English

"Jo" politizimit të përmbytjes, "Po" gjendjes së jashtëzakonshme

Nga Zef Preçi *

Fatkeqësia natyrore e përmbytjes nga ujërat e lumenjve Drin dhe Buna në ultësirën perëndimore të Shkodrës, e ditët e fundit edhe në lagjet periferike të këtij qyteti kanë sjellë në vëmendjen e opinionit publik një sërë problemesh të natyrës teknike, juridike, politike, institucionale etj.

E përbashkëta e këtyre problemeve mbetet një: shkalla e zbatimit të ligjit si përgjegjësia kryesore e institucioneve ligj-zbatuese të shtetit shqiptar. Me këtë nuk dua të them se është koha të politizohet një fatkeqësi natyrore (siç edhe po ndodh për ditë, për fat të keq).

Përkundrazi, mendoj se është momenti që të hidhet vështrimi në përmbajtjen e kësaj fatkeqësie, dmth të analizohet funksionimi i sistemit në tërësi dhe të evitohet përdorimi politik i pasojave te saj. Le t'i marrim disa nga problemet me radhë.

Së pari, menaxhimi i ujërave të rezervuarave të hidro-centraleve që janë ndërtuar deri më sot mbi kaskadën e lumit Drin. Sipas mendimit tim, është e padobishme, e dëmshme, dhe djallëzore të hedhësh baltë mbi energjetiken, sektorin e vetëm të ekonomisë reale të trashëguar nga periudha socialiste që ka mundur të mbijetojë dhe po funksionon edhe sot e kësaj dite.

Dhe kjo për shkak se investimet në energjitikën shqiptare janë realizuar kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe pavarësisht se mbas vitit 1990 shteti nuk ka mundur të investojë në vepra të reja, rehabilitimi dhe modernizimi i atyre ekzistuese ka thithur qindra milionë euro.

Dmth është kryer rinovimi elektro-mekanik i tyre dhe janë konkurruese edhe në ditët tona. Mbi të gjitha, energjitika është ndoshta sektori i vetëm që ka të punësuar me dhjetëra teknikë e inxhinerë që në "biografinë" e tyre numërojnë dy a tri dekada pune pa ndërprerje në Koman, Fierzë e Vaun e Dejës.

Këtyre duhet t'u jemi mirënjohës për mire-funksionimin e hidrocentraleve edhe në këto ditë me reshje të shumta dhe të zgjatura shiu, bore e breshëri në mbarë Europën.

Ndërsa paniku për rrezikun e çarjes së digave, besoj se është tejkaluar pas sqarimeve të përgjegjshme të projektuesit të mirënjohur të digave F. Hoxha, ish-drejtuesit të respektuar të sektorit energjitik L. Pjetri, dhe të një numri ekspertësh të tjere të njohur në vend. Mund të thuhet pa mëdyshje se edhe gjatë dy-tre muajve të fundit të tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit janë mbajtur në një regjim normal pune të bazuar në rregullat teknike përkatëse dhe se çdo koment tjetër, të paktën në nivelin e sotëm të informacionit zyrtar dhe të analizës, nuk përbën gjë tjetër veçse një përpjekje për të nxjerrë përfitime politike nga pasojat e derdhjes së ujit si përmes shfrytëzimit të plotë në nivelin historik më të lartë të rendimentit të turbinave të këtyre hidrocentraleve, ashtu edhe shkarkimeve të paevitueshme të tepricave të ujit përtej limiteve të përcaktuara në atë rregullore. Pavarësisht kësaj, mendoj se duhet mbështetur dhe inkurajuar çfarëdo nisme e prokurorisë së republikës për hetimin e menaxhimit të rezervave ujore të vendit, ashtu sikurse edhe analizat e thelluara mbi menaxhimin nga KESH-i të burimeve hidrike në kaskadën e Drinit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë. Komunikimi mediatik i kësaj ministrie gjatë gjithë kohës mendoj se ka qenë në nivelin e duhur nstitucional duke mundësuar informimin transparent jo vetëm të publikut, por edhe të qarqeve politike të interesuara.

Së dyti, situata e rëndë në komunat e përmbytura dhe në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës sjell në vëmendjen e opinionit publik një numër problemesh që kanë të bëjnë me ndërtimet e shtëpive të banimit në zona të palejueshme nga fshatarët e këtyre zonave; me investimet publike për mirëmbajtjen e argjinaturave mbrojtëse dhe të rrjetit kullues përkatës; me zbatimin e investimeve për pengimin e erozionit në rajonet malore të vendit, me sistemimin dhe rehabilimin e grykë-derdhjes së Bunës, etj.

Nuk është vështirë për të konstatuar se procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, për fat të keq, ka përshpejtuar okupimin prej tyre të zonave periferike të qytetit të Shkodrës duke përfshirë edhe bregun e liqenit.

Nuk është vështirë për të kuptuar se shumica e banesave të reja në fshatrat e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë janë ndërtuar në "tokën e bukës", dmth atje ku deri dje sa për shkak të kontrollit të rreptë të regjimit, por edhe për shkak të fatkeqësive natyrore si këto që po përballemi sot, ishte e ndaluar ndërtimi i tyre.

Nuk është vështirë për të kuptuar se prej disa vitesh investimet publike në përmirësimin e rrjeteve kulluese, në forcimin e mbrojtjes nga erozioni, thellimin e shtratit të lumenjve dhe vërshimet e papritura të tyre, në mos janë në nivele modeste, janë inefiçente dhe në shpërndarjen e tyre ka mungesë transparence dhe korrupsion. Nuk është vështirë për të kuptuar se pushteti vendor, në kushtet e mungesës së kapaciteteve njerëzore, materiale e monetare dhe të mosnjohjes së detyrimeve të veta ligjore në një situatë të tillë vazhdon të jetë pasiv dhe plotësisht i "eklipsuar" nga prania e gjerë e autoriteteve qendrore në menaxhimin e situatës së fatkeqësisë së përmbytjes aktuale në Shkodër.

Kështu që në këtë këndveshtrim mendoj se të gjitha institucionet ligj-zbatuese të vendit janë drejtpërdrejt ose tërthorazi bashkë-përgjegjëse për situatën e krijuar dhe nëse mbas kapërcimit të saj nuk do të kryhen analizat e duhura dhe marrja e përgjegjësive përkatëse, janë të gjitha gjasat që vendi të mbetet i ekspozuar përballë fatkeqësive të reja në të ardhmen.

Gjithashtu, nuk është vështirë për të kuptuar se edhe moti është çrregulluar prej disa vjetësh dhe stinët e vitit nuk janë më qartësisht të dallueshme si dikur… Mjafton të ndjekësh lajmet që vijnë gjatë këtyre ditëve për fatkeqësi të ngjashme në Bosnjë apo mbi motin e keq në Europë, Amerikë apo në kontinentet e tjerë.

Së treti, për kapërcimin e situatës, mendoj se nuk është e mjaftueshme çvendosja e qeverisë dhe opozitës në zonat e përmbytura. Kjo mbasi përmasat e përmbytjes dhe paqartësitë mbi kohëzgjatjen e saj bëjnë të domosdoshme vendosjen edhe "de jure" të gjendjes së jashtëzakonshme në prefekturën e Shkodrës, sikurse sugjeroi këto ditë ish-kryeministri socialist Pandeli Majko.

Kjo jo thjesht në zbatim të kuadrit ligjor përkatës në fuqi, por edhe për një menaxhim më të mirë të burimeve në dispozicion, angazhimin më të drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë në rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010 dhe vënien në dispozicion të kësaj prefekture të fondeve përkatëse për ndihmën emergjente të banorëve të evakuar dhe për rehabilimin e zonës mbas kapërcimit të fazës së emergjencës; për bashkë-rendimin më të mirë të punës për thithjen e fondeve dhe të mbështetjes materiale nga donatorët e huaj dhe organizatat e specializuara dhe ato humanitare; për mobilizimin e nevojshëm të mjeteve dhe makinerive në administrimin e përmbytjes dhe rehabilimin e pasojave të saj, si dhe për rregullimin e funksionimit te marrëdhënieve të shtetit me operatorët e ndryshëm ekonomikë që ofrojnë energji elektrike, ujë, etj., për popullsinë.

Mendoj se në këtë mënyrë procesi i evakuimit të popullsisë civile mund dhe duhet të bëhet i përgjithshëm, i detyruar dhe i organizuar. Për të mbrojtur nga vjedhjet dhe dëmtimi shtëpitë dhe pasuritë e fshatarëve të mbetura shkretë deri në rikthimin e pronarëve të tyre, mendoj se mund të përdoren forcat e ushtrisë, si dhe mund të rekrutohen me pagesë edhe një pjesë e fshatarëve të zonës. Nga ana tjetër, mendoj se mbas kapërcimit të kësaj fatkeqësie, rikthimi i banorëve mund dhe duhet të bëhet i organizuar dhe vetëm mbas dekontaminimit për të evituar rreziqet e epidemive, vlerësimit teknik dhe financiar të dëmeve të shkaktuara dhe gjendjes së rrjeteve të ujësjellësve, rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, etj.

Së fundi, nisur nga problematika e situatës aktuale të përmbytjes së dhjetë ditëve të fundit në Shkodër dhe lidhjes së këtij fenomeni me menaxhimin e burimeve hidrike të vendit, mendoj se në të ardhmen institucionet përkatëse të shtetit duhet të rishikojnë rregulloren në fuqi që përcakton regjimin hidrik të kaskadës së Drinit për ta përmirësuar këtë dokument.

Disa nga drejtimet e këtij përmirësimi mund të jenë: lënia mënjanë si i kapërcyer në kohë i parimit të "mbështetjes në forcat e veta" si funksion i qëllimit të saj, harmonizimi i këtij regjimi me prognozat e motit dhe aspekte të tjera ambjentale, etj. Në këtë mënyrë mendoj se do të evitohet edhe njëlloj "fetishizimi" i panevojshëm i këtij dokumenti duke pasqyruar në të edhe ndryshimet e dy dekadave të fundit dhe përvojat më të mira botërore në fushën e menanxhimit të integruar të burimeve natyrore.

*) Ish-ministër i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit

KOMENTE