English

"Paterica", kapen 2 italianë që vodhën 150 milionë me karta bankomatësh

Tiranë, 13 Janar NOA - Dy shtetas italianë janë arrestuar sot nga policia shqiptare në Tiranë, pasi akuzohen se kanë kryer tërheqjen e 150 milionë lekë të vjetra në mënyrë të paligjshme në bankomatet e Bankës Intesa SanPaolo në Shqipëri, konfirmojnë për NOA, burime zyrtare nga Policia e Shtetit.

Arrestimi i dy italianëve 25-vjeçarë me banim në Xhenova, Luca Maria Calvi, 25 vjeç dhe Gabriele Pasqualino, u bë në kuadrin e operacionit të koduar "Paterica", nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë.

"Arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri - tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e Bankës Intesa SanPaolo në Shqipëri, duke përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Si rezultat i punës-gjurmuese policore këta shtetas u kapën në flagrancë rreth orës 01.00' në një nga ATM-të e kësaj banke", - deklaruan zyrtarët e policisë.

Nga kontrolli i personave në momentin e kapjes në flagrancë dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin akomoduar, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale:

një kompjuter lap top me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre,

një pajisje elektronike "Memory card reader" që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare,

19 karta bankare nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të,

një shumë prej 23 000 euro,

një shumë prej 200 000 lekë të tërhequra nga ATM në Tiranë,

një autoveturë e tipit "Chrysler", ma targë TR7726R, me ngjyrë të zezë,

një dosje për kamuflimin e kartave plastike .

Nga hetimet paraprake deri tani rezulton se ky grup, këtë aktivitet kriminal e kryente për herë të dytë në Shqipëri.

Deri tani është konfirmuar se në degët e Bankës Intesa Sanpaolo kanë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Janë përdorur mbi 250 karta. Shuma e parave të tërhequra llogaritet mbi 15 000 000 lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se po vazhdojnë hetimet për zbulimin edhe të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas në bankat e vendeve fqinje.

r.b/e.r/NOA

KOMENTE