English

Përvjetori i 97-të, Policia e Shtetit bëhet me 297 makina të reja

Tiranë, 13 Janar NOA - Në sheshin para stadiumit "Qemal Stafa" është zhvilluar ceremonia e shpërndarjes së 297 automjeteve të reja të blera me fonde nga buxheti i shtetit për Policinë e Shtetit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues të tjerë të strukturave vendore te policisë.

Gjatë fjalës së tyre, Zv/ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentuan faktin se është hera e parë që bëhet e mundur blerja e një sasie të tillë kaq të konsiderueshme automjetesh për Policinë e Shtetit.

Po ashtu ata theksuan se të 297 automjetet, që llogariten përafërsisht sa ¼ e mjeteve në inventarin e Policisë së Shtetit, do të vihen në dispozicion vetëm për shërbimet policore në bazë.

"Kjo sasi automjetesh do të ndikoje drejtpërdrejtë në përmirësimin e performancës së shërbimeve policore në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit", theksoi Z. Burgaj.

Të 297 automjetet e shpërndara gjatë ditës së sotme janë të destinuara për të gjitha drejtoritë e policisë së qarqeve në vend, kryesisht për strukturat e shërbimeve të policisë së rendit dhe qarkullimit rrugor.

Mësohet se 90 nga automjetet e reja, të financuara nga buxheti i shtetit, u janë shpërndarë drejtorive të policive në qarqe për t'u vendosur në dispozicion të strukturave të shërbimit të policisë rrugore.

Ndërsa pjesa tjetër do të jetë në dispozicion të strukturave të shërbimit të patrullave të përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Të gjitha automjetet e shpërndara gjatë ceremonisë së sotme janë të uniformizuara, të pajisura me logot dhe të gjitha shenjat e Policisë së Shtetit.

Meqenëse ceremonia e shpërndarjes së këtyre automjeteve përkon edhe me 97-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u përcolli urimet e tij për këtë festë të gjithë punonjësve të policisë dhe familjeve të punonjësve të rënë në krye të detyrës.

r.b/NOA

KOMENTE