English

Berisha: Qeveria, jashtëzakonisht e interesuar për Bankën Botërore

Zhvillohet mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, me praninë e Zv/Presidentit të BB-së Philippe Le Houa©rou

Tiranë, 14 Janar NOA - Nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, në të cilën merrte pjesë edhe Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, zoti Philippe Le Houa©rou, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.

Duke marrë fjalën, Berisha e cilësoi këtë mbledhje historike në partneritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer 20 vjeçar që Shqipëria ka pasur dhe ka me BB.

Kryeministri theksoi se vizita e Zv/presidentit të Bankës Botërore, z.Philippe Le Houérou është një ngjarje e madhe në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BB-së.

"Në sajë ndihmës financiare në qindra projekte të zbatuara, Banka Botërore bëri të mundur që Shqipëria të transformohej nga një prej vendeve më të varfra, me sistemin totalitar më të egër, në vendin me ekonomi të zhvilluar tregu dhe me institucione të një demokracie funksionuese", - tha Berisha.

Duke shprehur vlerësimin më të madh për projektet e rëndësishme që Banka Botërore udhëheq në Shqipëri, Kryeministri u ndal në veçanti në të gjitha fushat, ku Banka Botërore ka kontribuar me ndihmën e saj.

Përsa i përket projekteve në fushën e transportit, Kryeministri vuri në dukje se Banka Botërore ka dhënë një kontribut të madh me financimet e saj, në mobilizimin e fondeve nga donatorët në disa projekte madhore që po ndryshojnë vendin, ndër të cilat segmenti Milot-Rrëshen të autostradës Durrës-Prishtinë, si dhe projekti i rrugëve dytësore, projekt që po transformon, me zbatimin e tij të suksesshëm, gjithnjë e më shumë jetën e zonave rurale të Shqipërisë.

Duke u ndalur në fushën e bujqësisë, Kryeministri bëri me dije se projekti i qeverisë shqiptare për mbjelljen e 20 milion rrënjëve ullinj në 4 vjet zgjoi interesin e Zv/ presidentit të Bankës Botërore, për të shqyrtuar mundësinë e kontributit të saj, në aspekte të veçanta të këtij projekti.

Si një çështje shumë të rëndësishme, Kryeministri veçoi reformën në shëndetësi. Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se Zv/presidenti i BB-së garantoi se ndihma në fushën e shëndetësisë do të jetë e pakursyer dhe se e konsideron reformën, si kusht të të gjitha kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi shëndetësor, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve shqiptarë.

Duke cilësuar arsimin si përparësinë më madhore të qeverisë shqiptare, Kryeministri vlerësoi se ndihma e Bankës Botërore në këtë drejtim është shumë e dobishme.

e.r/NOA

KOMENTE