English

Ministri i Arsimit, në Forumin Botëror "Të mësuarit dhe Teknologjia"

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në Forumin Botëror "Të mësuarit dhe Teknologjia"

Londër, 15 Janar NOA - Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj mori pjesë në Forumin Botëror "Të mësuarit dhe Teknologjia" që u zhvillua në Londër me pjesëmarrjen e 75 vendeve të botës dhe Ministrave të Arsimit.

Më ftesë të Sekretarit të Shtetit për Fëmijët, Shkollat dhe Familjen, të Mbretërisë së Bashkuar, Rt Hon Ed Balls, dhe Sekretarit të Shtetit për Biznesin, Inovacionet dhe Aftësitë, Rt Hon Lord Mandelson, një delegacion nga Shqipëria, i kryesuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori pjesë në Forumin Botëror për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit në Arsim, që po zhvillohet në Londër, nga 11-16 janar 2010.

Forumi Botëror për Teknologjitë e Informacionit në Arsim është veprimtaria më e madhe në botë në nivelin e Ministrave të Arsimit, ku shkëmbehen mendime dhe eksperienca për strategjitë dhe politikat e zhvillimit të teknologjive në arsim.

Në ditën e parë të punimeve të Forumit, Ministrat dhe ekspertët e lartë të arsimit nga e gjithë bota i përshëndeti edhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown. Në fjalën e tij ai e vuri theksin tek zhvillimi teknologjik në arsim, i cili krijon mundësi për zhvillimin dhe shtrirjen e tij për të gjithë sistemin arsimor.

Gjatë këtij Forumi Tafaj, pati takim me Sekretarin e Shtetit për Fëmijët, Shkollat dhe Familjen, të Mbretërisë së Bashkuar, Rt Hon Ed Balls ku u diskutua për bashkëpunimin e vendeve në fushën e arsimit.

Ai gjithashtu u takua me homologë të tij nga vende të tjera dhe ekspertë të shquar botërorë të fushës së arsimit.

Një takim të veçantë Tafaj pati edhe me përfaqësues të lartë të Microsofti-it, ku u vlerësua ecuria e bashkëpunimit me këtë kompani gjigante në fushën e teknologjisë dhe komunikimit, si dhe mbështetja që do të japë Microsofti në të ardhmen, për zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimeve në arsimin shqiptar.

Forumi Botëror "Të mësuarit dhe Teknologjia" u ndoq nga më shumë se 50 Ministra Arsimi dhe rreth 750 drejtues të lartë apo ekspertë të fushës nga vende të ndryshme të botës.

e.b/r.b/NOA

KOMENTE