English

Fuqitë e mëdha diskutojnë nëse do t'i vënë sanksione Iranit

Gjashtë fuqitë kryesore botërore u takuan në Nju-Jork për të diskutuar sanksionet e reja kundër Iranit për t'i frenuar aktivitetet bërthamore të Teheranit

Nju Jork, 17 Janar - Zyrtarë nga Britania, Kina, Franca, Rusia dhe SHBA, si dhe Gjermania, u takuan për të vlerësuar përgjigjen e Teheranit ndaj ofertës së tyre në tetor për këmbimin e uraniumit për karburant bërthamor. Ministri i Jashtëm iranian, Manuçer Motaki, tha se Irani e pranon ofertën "në parim", por me rezerva.

Robert Kuper, zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, i cili e drejtoi takimin, tha se gjashtë fuqitë botërore kanë rënë dakord se Irani ka dështuar të prononcohet rreth propozimit. "Konkluzën që e arritëm në këtë takim është se Irani ka dështuar të përgjigjet ndaj propozimeve të takimit të Gjenevës duke refuzuar takime të mëtejme për ta diskutuar çështjen bërthamore", tha Kuper. Delegati rus Sergei Riabkov tha se takimi nuk ishte vendimtar, në kuptimin se nuk u arrit asnjë vendim. Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara Uiliam Bërns tha se mbledhja ishte "e dobishme". Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha se administrata Obama mendon se mënyra më e mirë për të detyruar Iranin është që të vendosen sanksione të reja kundër elitës sunduese të vendit. Por, analistët thanë se Kina dhe Rusia janë dyshues për sanksionet e reja, por edhe Shtëpia e Bardhë. Kina u përfaqësua në bisedime me një diplomat të nivelit jo të lartë. Analistët theksuan se kjo mund të jetë sinjal për ngurrimin e Pekinit që të mbështesë sanksione më të ashpra. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përfshirë Kinën, më herët kishin bërë thirrje që Irani të ndërpresë pasurimin e uraniumit dhe kanë ndërmarrë tre raunde sanksionesh. /rfe/

KOMENTE