English

Balla: Korrupsioni me blerjet e shitjet e energjisë shkaktoi katastrofën në Shkodër

Tiranë, 18 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla doli sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës u shpreh se përmbytja në Shkodër erdhi si rrjedhojë e korrupsionit me blerjet dhe shitjet e energjisë elektrike.

Balla akuzoi njerëzit më të afërt të kryeministrit, Sali Berisha si të implikuar në këtë "Ka vetëm një arsye se pse u përmbyt Shkodra: korrupsioni me blerjet dhe shitjet e energjisë, ku janë të implikuar njerëzit më të afërt të Sali Berishës.

Ka katër indikatorë që përcaktojnë vendimmarrjen në çdo kaskadë hidroenergjetike:

Moti me reshjet dhe temperaturat, prurjet, prodhimi dhe shkarkimet" tha Balla.

Sipas tij KESH kishte informacion të plotë se në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit dhe dhjetëditëshin e parë të janarit, do të kishte reshje, do të kishte temperatura pranverore që shkrijnë dëborën e maleve.

Sipas parashikimit të motit të datës 20 dhjetor, temperaturat në datën 23 në Kukës dhe Shkodër do arrinin në 15 gradë celsius, temperatura të mjaftueshme për të shkrirë sasi të mëdha dëbore. Autoriteteve kompetente, u mjaftonte vetëm të shihnin motin në televizor, njësoj si gjithë shqiptarët e tjerë, për të kuptuar se në ditët në vijim, prurjet në kaskadën e Fierzës do të rriteshin ndjeshëm.

"Por ministri përgjegjës, Dritan Prifti, ndoshta ndiqte parashikimin e motit në Turqi, ku do të shkonte me pushime, e jo në veri të vendit, ku pas pak ditësh do të ndodhte katastrofa.

Ashtu siç pritej, ngritja e temperaturës shkriu dëborën, dhe kësisoj brenda katër ditëve prurjet në Fierzë u trefishuan. Parashikimi i motit tregonte se në datën 23 dhjetor temperaturat do të rriteshin duke shkrirë dëborën, dhe pikërisht në datën 23 dhjetor prurjet në Fierzë arritën në 731m3/sekondë nga 262m3/sekondë që ishte katër ditë më parë.

Këtu kanë hyrë në lojë interesat e familjes Kryeministrore.

Sepse në një kohë që prurjet trefishohen, ulet me katër herë dhe pesë herë prodhimi i energjisë" tha më tej deputeti socialist.

k.k/NOA

KOMENTE