English

Ndeshja Gramozi-Real Madrid, policia merr masat: Tifozët do të kontrollohen

Tiranë, 19 janar NOA - Policia e Tiranës ka marrë masat për mbarëvajtjen e zhvillimit normal të ndeshjes miqësore mes ekipeve Gramozi dhe Real Madrid që do të zhvillohet nesër në orën 18.00 në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, njoftoi sot se do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa", sheshi "Italia", sheshi "Nënë Tereza" duke filluar nga ora 08.00 e ditës së nesërme deri në përfundim të ndeshjes. Po ashtu, nga ora 15.00 deri në përfundim të ndeshjes, të datës 20.01.2010, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët drejt stadiumit "Qemal Stafa" ashtu dhe përreth tij, si : rruga "Lek Dukagjini" dhe "Dervish Hima" në kryqëzimin me rrugën "Asim Zeneli". Ndërkohë, gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium, të sendeve të ndaluara si mjete e sende të forta, fishekzjarrë, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme. "Policia e Tiranës, duke kërkuar dhe njëherë mirëkuptimin e publikut, ju kujton sportdashësve, dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, respektimin me rigorozitet të rregullave të vendosura dhe kodit të sjelljes si para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv" deklaroi sot policia e kryeqytetit.

k.k/NOA

KOMENTE