English

Presidenti Topi takohet me deputetë të Kuvendit të Kosovës

Tiranë, 19 janar NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, të përbërë nga Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, Naser Rugova, i cili shoqërohej nga Tom Hajdari dhe Albatros Rexha.

Pasi u uroi deputetëve mirëseardhjen, Presidenti Topi u shpreh se Republika e re Kosovës dhe lidershipi i saj kanë dëshmuar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, aftësitë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe multi-etnik me synime të qarta integruese në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euro-atlantike.

Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona duke nënvizuar rolin që luan në këtë drejtim ndërtimi i arterieve infrastrukturore si dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, agro-biznesit, etj. Pasi e falënderuan Presidentin e Republikës për pritjen, deputetët e Kuvendit të Kosovës e informuan Topin rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës për të rritur akoma edhe më tepër njohjen ndërkombëtare të Kosovës, për zhvillimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik dhe ato për në Evropën e Bashkuar.

k.k/NOA

KOMENTE