English

Ministri i Arsimit flet për ligj të ri mbi arsimin parauniversitar

Hoxhaj u takua me kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulaku

Vushtrri, 20 Janar NOA Hajdin Islami Update - Për një vizitë komunës së Vushtrrisë, ka qëndruar sot Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ku është pritur nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, me bashkëpunëtorë.

Gjatë këtij takimi ministri Hoxhaj e ka uruar kryetarin Mulaku për mandatin e dytë si udhëheqës i kësaj komune, ndërsa me të ka biseduar rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin në përgjithësi në Komunën e Vushtrrisë.

"Me ligjin e ri për Arsimin Parauniversitar, (ligj për të cilin tashmë ka filluar debati publik), komunat do të marrin shumë më tepër kompetenca lidhur me arsimin, ndërsa shkollat do të marrin përgjegjësi shtesë", - tha me këtë rast ministri Hoxhaj.

Ai theksoi faktin se edhe shkollat e Vushtrrisë, duke filluar nga janari i vitit 2011, do të kenë autonomi financiare dhe administrative.

Duke qenë se me ligjin e ri, arsimi i mesëm do të jetë i obligueshëm, ministri Hoxhaj deklaroi se në komunën e Vushtrrisë do të ndërtohet edhe një shkollë e mesme e përgjithshme.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku theksoi traditën intelektuale dhe arsimdashëse për të cilën njihet ky qytet.

Kryetari Mulaku, po ashtu përmendi edhe rezultatet e mira që kanë treguar nxënësit e kësaj komune në Provimin Shtetëror të Maturës.

h.i/e.r/NOA

KOMENTE