English

Vodafone Albania në mbështetje të sezonit koncertor ndërkombëtar "Klasik"

Koncerti i radhës: kitarë solo Thibault Cauvin

Tiranë, 28 Janar NOA - Pranë sallës së Akademisë së Arteve në Tiranë, publiku do të ketë mundësinë nesër ora 19.00, të ndjekë koncertin e radhës të edicionit të 10 të sezonit koncertor ndërkombëtar "Klasik".

Me mbështetjen e vazhdueshme të kompanisë celulare Vodafone Albania, nën kujdesin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Aleancës Franceze, Ambasadës Franceze dhe Akademisë së arteve, "Klasik" do të sjellë për të gjithë artdashësit një koncert kitarë solo nga kitaristi francez më i lakuar i momentit, Thibault Cauvin.

Ai do të luajë për kënaqësinë e publikut pjesë të mrekullueshme nga repertori i tij dhe artistëve të tjerë, përfshire këtu 2 sonatas nga Domenico Scarlatti, Night and Day i Roland Dyens, Take the A train i Stayborn etj.

Thibault Cauvin është padyshim një nga kitaristët më të talentuar të momentit. Me kitarën në dorë ai përshkon botën mbarë dhe merr pjesë në teatrot dhe festivalet më të mirënjohura dhe prestigjioze botërore.

Cauvin 24 vjeçar numëron në repertorin e tij 600 koncerte në të gjithë kontinentet. Ai është i mirënjohur nga kritika artistike dhe një nga personazhet më të shpeshtë të emisioneve televizive.

Ky kitarist shumë i talentuar dhe i ri në moshë, është i vetmi i cili ka fituar 13 çmime ndërkombëtare dhe që shquhet për ndërthurje perfekte të muzikës moderne dhe asaj klasike. Disku i tij i katërt, i cili sapo ka dalë në shtëpitë e njohura diskografike në Amerikë "GSP San Francisko", përfshin muzikë moderne të ndërthurur me rryma të ndryshme muzikore, duke i dhënë kështu një dimension të ri kitarës.

Vodafone Albania thotë se vijon të mbështesë gjithnjë e më shumë artin dhe muzikën shqiptare, duke sjellë pranë publikut artdashës emrat më të mirënjohur dhe të talentuar të momentit.

e.r/NOA

KOMENTE