Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shqipëria, sërish në axhendën ndërkombëtare të krizave
English

Shqipëria, sërish në axhendën ndërkombëtare të krizave

Miratimi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i rezolutës që kërkon hetimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe fokusimin te roli i presidentit Topi si ndërmjetës i krizës, ka trazuar jetën politike në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha, në përpjekje për të mos pranuar dështimin e tij në Strasburg, po përpiqet ta lexojë ndryshe nga sa është shkruar rezolutën e Këshillit të Evropës, duke këmbëngulur në moshapjen e kutive dhe duke kushtëzuar ndërmjetësimin e presidentit Topi. Kryeministri Berisha dështoi në injorimin e gjendjes së krizës në Shqipëri, duke iu hedhur poshtë amendamenti që kërkonte të hiqej fjala krizë nga rezoluta

Mero Baze*

Shqipëria u rifut në axhendën ndërkombëtare të krizave pas votimit me shumë debate të rezolutës së Këshillit të Evropës, e cila përcakton qartë se Shqipëria po përjeton një krizë të rëndë politike, dhe kërkon hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe forcimin e rolit të presidentit Topi si mediator i kësaj krize.

Pra, nëse i hedh një vështrim të përgjithshëm problemit më të madh që krijoi injorimi i krizës politike në vend prej kryeministrit Berisha, është rifutja e Shqipërisë në axhendën e krizave. Kjo përfshirje u bë me vetëdije të thellë nga Asambleja e Këshillit të Evropës, e cila hodhi poshtë mes të tjerash dhe amendamentin e propozuar nga Berisha, i cili kërkonte zbutjen e fjalorit politik për termin krizë politike.

Ky standard është më i ulëti që Shqipëria ka pasur që pas vitit 1997 në arenën ndërkombëtare, kur në vend u desh të vinin forca ndërkombëtare për të siguruar qetësinë.

Rifutja e Shqipërisë në axhendën ndërkombëtare të krizave, është po ashtu një bilanc i hidhur që shoqëron shpesh si fatalitet qeverisjet e zotit Berisha në Shqipëri.

Por problemi tashmë nuk qëndron vetëm te fakti që kemi hyrë në këtë axhendë, por te këmbëngulja e zotit Berisha për të mos përfillur rekomandimet ndërkombëtare, gjë që do të rëndojnë më tej krizën dhe do të kërkojnë angazhime të reja të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e saj. Berisha realisht pas pranimit formal të rezolutës, nuk pranon asgjë nga thelbi i përmbajtjes së saj.

Ai nuk pranon pikë së pari hetimin e zgjedhjeve, e cila është kërkesë themelore e rezolutës, duke theksuar se nuk do të pranojë hapjen e kutive. Nëse nuk pranohet kjo kërkesë, rezoluta praktikisht është hedhur poshtë nga Tirana zyrtare, dhe kriza rikthehet në pikën fillestare. I njëjti refuzim i qartë i Berishës është dhe për ndërmjetësinë e Presidentit Topi në këtë krizë.

Pas disa gjesteve publike refuzuese për të, zoti Berisha zgjodhi sot të bëjë një tërheqje formale duke pranuar ndërmjetësimin e tij me kusht që ai të bindë Edi Ramën të plotësojë kushtet e Sali Berishës. Ky qëndrim regresiv ndaj rekomandimeve ndërkombëtare, dhe kjo përpjekje për ta konsideruar krizën problem të opozitës dhe jo problem të raporteve të qeverisë me standardet e zgjedhjeve, është realisht një qasje armiqësore e tij ndaj rekomandimeve të Perëndimit për këtë krizë politike.

Nëse zoti Topi bind vetëm njërën palë të heqë dorë nga kërkesat, siç kërkon zoti Berisha, atëherë ai nuk është negaociator, por i dërguar i zotit Berisha tek Edi Rama. Dhe nga ana tjetër, nëse zoti Rama heq dorë nga ato kërkesa, atëherë s'ka kuptim të flasim për krizë.

Pra e gjithë loja e fjalëve e Berishës, është një mënyrë për të refuzuar me një fjalor konfuz të gjithë rekomandimet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës dhe për të qëndruar konstant në qëndrimin e tij për moshapjen e kutive dhe mospërfilljen e rolit të Presidentit Topi në ndërmjetësimin e kësaj krize.

Kjo, jo vetëm që do të na mbajë për një kohë të gjatë në krye të axhendës ndërkombëtare të krizave, por do të na fusë dhe në axhendën e veprimit të ndërkombëtarëve, për të na e zgjidhur ata krizën. Dhe kjo ndodh sa herë që njëra palë e krizës është Sali Berisha.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE