English

Enti Rregullator, në gjyq për tarifat e energjisë

Tiranë, 30 Janar NOA/ Rajmonda Lajthia - Mosmarrëveshjet mes kompanisë private të shpërndarjes së energjisë dhe Entit Rregullatorë kanë përfunduar në gjykatë. Sikundër ishte parashikuar, çekët e OSSH-së kanë ngritur një padi ndaj Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, ku kërkojnë pavlefshmëri të vendimit të këtij institucioni, i cili rriti tarifat e energjisë me 13 për qind, nga 44 për qind që kishte kërkuar kompania private.

Seanca e parë pritet të zhvillohet në datën 10 shkurt në Gjykatën e Rrethit e Tiranës. Eduard Elezi, drejtor juridik në ERE, duke folur sot me agjencinë NOA, tha se kompania private në akt padinë e saj kërkon që gjykata të mos njohë vendimin e entit për çmimet e reja të energjisë elektrike si dhe të parashikojë në këto tarifa edhe nivelin e amortizimit të rrjetit.

Por sipas Elezit vendimi që ka marrë enti kanë bazë ligjore dhe janë të mbështetura në marrëveshjet e lidhura mes qeverisë dhe kompanisë.

Ndërsa për sa i përket ankimimit që kompania OSSH mund të bëjë pranë Bankës Botërore, Elezi thotë se janë tejkaluar afatet që të ngrihet një panel i cili të analizojë mosmarrëveshjet e krijuara.

Përplasjet mes kompanisë dhe entit nisën me sasinë e pretenduar të humbjeve në rrjet. Çekët kërkuan që humbjet teknike të jenë 3 për qind më të larta nga se kishte pranuar Enti, por ky pretendim u hodh poshtë.

Më pas Enti Rregullator mori vendimin për tarifat, të cilat shtuan më tej pakënaqësitë e kompanisë privatë, çka detyruan këtë të fundit të kërkojë drejtësinë e pretenduar në gjykatë.

r.l/NOA

KOMENTE