English

Masakra e Devollit, vdes edhe vëllai i tretë

Devoll, 30 janar, NOA Update - U duk se ai pati një fije shprese për jetën kundrejt dy vëllezërve të tij që mbetën të vdekur në vend ndërsa u qëlluan fatalisht dje nga një ish-i dënuar.

Por ja që vdekja ka rrëmbyer sot pas një lufte për orë të tëra edhe vëllain e tretë të së ashtuquajturës "Masakra e Devollit", e cila tronditi dje për nga përmasat gjithë opinionin publik.

Lajmi bëhet i ditur paraprakisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime spitalore, sipas të cilave 17-vjeçari Etlevan Mulliri sapo ka ndërruar jetën pas një përleshje të mundimshme me vdekjen, në përpjekje për t'i shpëtuar asaj.

Ai ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak nga një atak kardiak, duke mos e përballuar dot ndërhyrjen e dytë.

Ndërkaq, grupet policore vazhdojnë të jenë ende në kërkim të autorit tashmë të identifikuar të masakrës së djeshme, i cili është 40-vjeçari Besim Karaj, lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, i dënuar më parë.

E ndërsa në funeralin e dy vëllezërve të tjerë të vrarë të Etlevanit, Taulantit dhe Xhilianit, do të ishte e pranishme edhe nëna e tyre, e cila rezulton të jetë e dënuar në burg pasi i është dhënë leje, asaj nuk i mbetet shpresë për të parë të gjallë të paktën djalin e saj të tretë.

n.e//NOA

KOMENTE