English

Axhenda e opozitës dhe humbja e shumëfishtë e Berishës

Pas mëdyshjeve të qeverisë për të pranuar rekomandimet e Asamblesë së Këshillit të Evropës për situatën në vend, partitë e vogla opozitare po kërkojnë radikalizimin e protestave dhe rritjen e presionit mbi shumicën në pushtet. Ata paralajmërojnë mundësinë e nisjes së protestave dhe aksione të tjera opozitare në vend

Mero Baze*

Qeveria shqiptare ka identifikuar gjithë problemet që ajo ka me krizën politike në vend, dhe partnerët tanë perëndimorë, përmes përmbajtjes së amendamenteve që ajo propozoi për të ndryshuar thelbin e rezolutës së KiE.

mendamentet e hedhura poshtë, në të vërtetë rrezatojnë gjithë vizionin e qeverisë shqiptare për krizën dhe distancën e krijuar mes saj dhe aleatëve të saj perëndimorë. Së pari, ato rrezatojnë vizionin e qeverisë për të mos e njohur krizën.

Duke mos njohur krizën, dhe duke u përpjekur ta personalizojnë atë me emra të përveçëm politikanësh, gazetarësh apo biznesmenësh, Berisha në të vërtetë po përpiqet të justifikojë jo vetëm moszgjidhjen e saj, por dhe fushatat linçuese mbi medien dhe biznesin, në formë hakmarrjeje për krizën. Dhe kjo po lexohet përditë e më qartë.

Kontrollet financiare vetëm në mediet kritike dhe sulmet vetëm ndaj biznesmenëve që mbështesin këto media, janë një mënyrë se si Berisha e lexon krizën dhe shkaqet e saj. Së dyti, amendamentet rrezatuan armiqësinë e qeverisë ndaj institucionit të presidentit. Fakti që Asambleja e KiE u fokusua te roli i presidentit Topi, rriti ndjeshëm nervozizmin e Berishës dhe agresivitetin e tij.

Edhe pse ka 4 ditë që është miratuar Rezoluta, Berisha ende, nuk ka pranuar rolin e presidentit Topi si negociator. Amendamentet e dështuara po ashtu rrezatuan distancën e Berishës me Perëndimin, duke kërkuar që Këshilli i Evropës të qëndronte larg krizës shqiptare. Kjo natyrisht që lexohet si distancë, e cila mund të përkeqësojë raportet e Shqipërisë me Perëndimin.

Por ajo ç'ka është më e rënda në gjithë detajet e përpjekjeve të Berishës për të ndryshuar pa sukses rezolutën është qëndrimi i partive popullore evropiane, aleate të PD-së. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dominohet nga e djathta dhe nga partitë aleate të Partisë Demokratike të zotit Berisha. Kjo ishte dhe arsyeja pse Berisha u inkurajua të bënte dhjetë amendamente për të ndryshuar thelbin e rezolutës.

Fakti që kjo shumicë në Asamblenë e KiE nuk mbështeti Berishën, është shenja më e fortë e krizës së raporteve të partisë së tij me Perëndimin. Kjo tregon se rezoluta është lexuar si një fotografi e gjendjes dhe jo si çështje e lobimit politik.

Dhe kjo e ka dëmtuar Berishën me shumë se çdo gjë tjetër në gjithë historinë e miratimit të rezolutës kundër tij. Me këtë rezolutë, Berisha jo vetëm që ndërkombëtarizoi krizën, por ndërkombëtarizoi dhe pikëpamjet e tij të mbrapshta për moszgjidhjen e saj, qëndrimet e tij kundër Këshillit të Evropës dhe institucionit të Presidentit në Shqipëri, si dhe distancën që ka krijuar me aleatët e tij të djathtë në Evropë, të cilët votuan kundër tij në Strasburg.

Kjo e bën të shumëfishtë humbjen e tij politike, dhe urgjente nevojën për reflektim për ulje në tryezë të Presidentit për zgjidhjen e krizës.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE