English

Devoll-Durrës, dy masakra të frikshme

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpjegon nëse mund të parandaloheshin masakrat e Devollit dhe Durrësit

Tiranë, 1 Shkurt NOA - Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj doli sot në një konferencë për shtyp ku foli për ngjarjet e rënda kriminale të ditëve të fundit dhe u ndal në dinamikën e tyre.

Kuliçaj pohoi se në masakrën e Durrësit, humbën jetën tre persona nga një ekzekutim që dyshohet se kishte për autor një vrasës të paguar nga persona të tjerë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22.30 të 27 janarit, në lagjen nr.9 të qytetit të Durrësit, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar më armë zjarri në drejtim të disa personave që ndodheshin në lokalin e vëllezërve "Curri".

Si pasojë mbetën të vrarë Edmond Hamit Shemsi 49 vjeç, banues në Durrës, Luan Ismail Curri 42 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për disa vepra penale dhe Andi Bexhet Curri 22 vjeç, banues në Durrës.

"Pas një punë të kualifikuar u bë e mundur identifikimi dhe ndalimi i autorit të kësaj ngjarjeje, Edison (Arjan) Sulejman Çelaj 32 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Vlorës, i dënuar më 5 vjet burg në shtetin italian për veprat penale të trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje", - deklaroi z.Kuliçaj në bisedën sot me gazetarët.

Ai siguroi se në bashkëpunim më Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punohet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Duke folur për masakrën e Vidoohovës, Kuliçaj pohoi se ajo ishte e pashembullt.

Ai shtoi se për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje u bashkëpunua më disa Drejtori të Policive në Qarqe si dhe më Autoritetet Policorë Greke, pasi kishte informacione se autori mund të ishte larguar në drejtim të shtetit Grek.

Gjithashtu për kapjen e tij u organizuan operacione më pjesëmarrjen e forcave speciale të Repartit "RENEA".

Si rezultat i këtyre veprimeve policore sot u bë e mundur që Besim Karaj të kapet në vendbanimin e tij në Komunën Thumanë të Rrethit Krujë si dhe t'i sekuestrohet arma e krimit automatik model 56.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12.30 të 29 janarit në fshatin Vidohovë, komuna Miras të rrethit Devoll, kur Besim Hamit Karaj, 40 vjeç, lindur në Thumanë Krujë dhe banues në fshatin Vidohovë, i dënuar më parë, për motive xhelozie ka vrarë me armë zjarri tre vëllezërit Taulant Xhevahir Mulliri, 23 vjeç, Xhilian Xhevahir Mulliri 26 vjeç dhe

Etlevan Xhevahir Mulliri 18 vjeçar, që të gjithë banues të fshatit Vidohovë të rrethit Devoll.

Në lidhje me ngjarjet, Kuliçaj u pyet nëse ka patur mundësi Policia e Shtetit për të parandaluar ngjarje të tilla si ajo në qarkun e Korçës apo në Durrës dhe a do të merren masa konkrete për efektivë policie të cilët nuk kanë vepruar në kohën e duhur.

Për këto pyetje, përgjigja e z.Kuliçaj ishte: "Bëhet fjalë për dy ngjarje të ndryshme. Në qoftë se ngjarja e Korçës është e hapur, e kryer në mesditë, në mes të fshatit dhe në tërësi veprimet ishin të hapura dhe ngjarja është e dokumentuar, ngjarja e Durrësit dallon për nga ajo e Korçës për nga mënyra e ekzekutimit. Në qoftë se në ngjarjen e Durrësit, vrasja është kryer në orët e vona të darkës, si rezultat i mirëorganizimit nga autorët e kësaj ngjarje të cilët kanë shfrytëzuar edhe kohën e keqe në të cilën ka ndodhur ngjarja, dëshmitarët kanë qenë me numër shumë të pakët për shkak edhe të orës së vonë kur është kryer ekzekutimi, ka pasur veprime shumë të kualifikuara procedurale të kryera nga strukturat e policisë së qarkut të Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me strukturat qendrore. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, për këtë ngjarje është punuar 24 orë derisa është bërë i mundur identifikimi i autorit dhe dokumentimi i saj. Për detajet e mëtejshme, strukturat e Prokurorisë në bashkëpunim me strukturat tona janë duke vijuar hetimet, për motivet, mundësitë e parandalimit dhe cilat janë shkaqet që kanë sjellë këtë ngjarje".

Pyetjes tjetër se si shpjegohet fakti që në të dyja këto ngjarje kemi të bëjmë me autorë me precedentë penalë, Z. Kuliçaj iu përgjigj se është e natyrshme që pikërisht persona me precedentë penalë të jenë të përfshirë në këto ngjarje, pasi qytetarë të thjeshtë që bëjnë një jetë normale nuk ka sesi të përfshihen në ngjarje të tilla kaq të rënda.

Ndërsa pyetjes se cila është arsyeja e tendencës së rritjes së kriminalitetit me disa të vrarë brenda pak ditëve, z.Kuliçaj iu përgjigj:

"Dua të informoj publikun lidhur me disa spekulime që janë bërë lidhur me këtë çështje. Realisht po të krahasohen të dhënat për krimin e vrasjes me ato të vitit të kaluar janë përafërsisht të njëjta, por me një dallim, ka një rritje të forcës zbuluese prej 100% për 12 vrasje të ndodhura dhe ka një rritje të arrestimit të personave që kanë kryer këtë krim në masën 96%. Nga 12 raste që kanë ndodhur për këtë vit, 11 autorë janë arrestuar dhe të 12 ngjarjet janë të zbardhura".

Kurse pyetjes se çfarë ndikon në rritjen e krimit të vrasjes në këtë periudhë, z. Kuliçaj i dha përgjigje se gjatë kësaj periudhe ka prurje të madhe të emigrantëve, ku janë të përfshirë edhe elementë të krimit dhe po ta krahasosh me të njëjtën periudhë të vitit 2009, bëhet fjalë për të njëjtat statistika, më pas ngjarje të tilla pësojnë rënie.

Lidhur me veprimet parandaluese të strukturave të Policisë së Shtetit, z. Kuliçaj bëri të ditur se te të gjitha rastet e fundit kemi të bëjmë me ngjarje për motive të dobëta, pra nuk ka pasur konflikte dhe motive të tjera, megjithatë reagimi i policisë ka qenë në kohë dhe është punuar në dy drejtime: në zbulimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

Pyetjes lidhur me akuzën e bërë nga babai i tre vëllezërve të vrarë në qarkun e Korçës për një nga punonjësit e Policisë së Korçës, Z. Kuliçaj iu përgjigj se:

"Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria do ta hetojnë këtë rast dhe pretendimin e babait të viktimave".

Kurse theksoi: "Sot babai i tyre doli dhe përshëndeti veprimet e policisë dhe falënderoi të gjithë strukturat e policisë për kapjen e autorit në kohë".

Kuliçaj tregoi se në këtë ngjarje janë përfshirë strukturat e qarkut të Lezhës, të Durrësit dhe është bashkëpunuar ngushtë duke u kryer operacione të përbashkëta me strukturat policore dhe autoritetet greke.

"Arrestimi i tij është bërë i mundur në sajë të presionit në mënyrë të vazhdueshme dhe kufizimit të vendit. Ne po përgatisnim forcat për të ndërhyrë, por u negociua dhe autori u vetëdorëzua", - theksoi Kuliçaj.

Ndërkohë për të gjitha rastet, Kuliçaj tha se po hetohet për motivet e sakta të cilat kanë sjelle kryerjen e këtyre krimeve.

Ndërsa lidhur me zhvillimin e hetimeve për vrasjen e Z. Fatmir Xhindi, Z. Kuliçaj tha: "Zbardhja e kësaj ngjarjeje është prioriteti kryesor i Policisë së Shtetit dhe se po punohet për zgjidhjen e saj. Vazhdon të jetë i ngritur një grup pune me specialistët më të mirë të fushës dhe pikërisht sot paradite është kryer një analizë e detajuar të kësaj ngjarjeje. Do të ketë analiza të vazhdueshme me prokurorinë dhe unë jam i bindur se shumë shpejt do të ketë një emër".

"Kjo është vrasje e një personi me cilësi të veçanta dhe ndryshon nga vrasjet e tjera. Hetimet po vazhdojnë.", përfundoi z.Kuliçaj.

e.r/e.n/NOA

KOMENTE