English

Çonte pistoletë dhe fishekë drejt Greqisë, i kapen në bagazhin e autobusit të linjës

Gjirokastër, 4 shkurt, NOA - Një person është arrestuar në flagrancë ndërsa po trafikonte një armë zjarri dhe municion luftarak drejt tokës greke duke udhëtuar me një autobus të linjës Shqipëri-Greqi.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Gjirokastrës, sipas të cilave i ndaluari është Sotir Zako, 19-vjeç, lindur dhe banues në Skrapar.

Bëhet me dijeni se policët kishin marrë informacion në rrugë operative se në autobusin me targë TR 4989 F, të linjës Tiranë-Athinë i shoqërisë "Joy Travel", udhëtonte një person, i cili donte të trafikonte për në shtetin grek armë zjarri dhe municion.

Prandaj ata e kanë ndjekur autobusin gjatë gjithë rrugës derisa ai mbërriti në pikën kufitare të Kakavijës ku kanë bërë edhe bllokimin e tij.

Nga kontrolli i imtësishëm i këtij mjeti ka rezultuar se i ndaluari Zako kishte një pistoletë model "54" prodhim kinez si dhe 7 fishekë, të fshehur në një çantë shpine të cilën e kishte vendosur në bagazhin e autobusit, me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë.

Autobuzi lëvizte nga Tirana në drejtim të Athinës dhe ka mbërritur në Kakavijë rreth orës 02.00 të mëngjesit, pasi lëvizja për në shtetin grek është lejuar deri në orën 06.00 të mëngjezit të ditës së sotme, kur edhe fillon greva e doganierëve grekë.

Në përfundim të të gjitha veprimeve të para hetimore, u bë sekuestrimi i armës dhe fishekëve në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimi i të lartpërmendurit për veprën penale të "Trafikut ndërkombëtar të armëve dhe municioneve", ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë.

n.e/NOA

KOMENTE