English

Dade: Negociatat, Berisha e pranoi krizën por të mos harrojë hapjen e kutive

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Kur hetohet një krim, me provat nuk mund të ketë kompromis. Një fakt të tillë e ka bërë publik sot përmes një deklarate për shtyp, deputetja socialiste Arta Dade.

Sipas saj, duke pranuar Rezolutën e Këshillit të Europës, pas përpjekjesh të dështuara për ta ndryshuar atë, Sali Berisha më në fund u detyrua të pranojë ekzistencën e krizës politike dhe zgjidhjen e saj në tryezën e presidentit.

"Partia Socialiste është e vendosur që kjo krizë të zgjidhet vetëm përmes negociatash në prani të presidentit të Republikës që do të rezultojnë në ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me objekt hetimor të pakufizuar të procesit elektroral të 28 qershorit", tha Dade lidhur me një fakt të tillë.

Sipas saj, për opozitën kutitë janë themeli i hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

"Sali Berisha nuk do të mund ta pengojë kurrë me forcë këtë hetim, prandaj ne e ftojmë atë të reflektojë me seriozitet dhe të bëhet pjesë e transparencës që kërkon opozita, shqiptarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e të heqë dorë nga mjetet e vjetëruara për të keqinterpretuar rezolutën e Këshillit të Europës dhe të vonojë me argumenta falsë zgjidhjen e krizës", përfundoi deklaratën e saj deputetja Dade.

n.e/NOA

KOMENTE