English

Pronari i "Gërdecit": Amerikanët, leje për barutin nga Mbrojtja

Dritan Minxholli rrëfehet në gjykatë: "Sasia e barutit dalë nga demontimi është sistemuar fillimisht në depot ekzistuese, pastaj në kantier. Ka qenë pala amerikane ajo që ka siguruar lejen në Ministrinë e Mbrojtjes në strukturat e saj për eksportin e barutit për procesin e parë dhe të dytë. E gjithë sasia e barutit e cila më datën 15 mars 2008 mund të ketë shkaktuar katastrofa të mëdha, gjatë kohës që kam drejtuar fabrikën nuk më është vënë në alarm nga specialistët apo administratori Patrik Henry".

Tiranë, 5 Shkurt NOA - Dritan Minxholli ka treguar sot se një ditë para tragjedisë së Gërdecit, ai së bashku me Patrit Henryn dhe Mihal Delijorgjin janë takuar në Tiranë dhe në këtë mënyrë, pronari i punishtes fatale ka çelur gojën duke folur për togat e zeza.

Minxholli sqaroi se takimi është kryer në zyrën e Delijorgjit dhe deklaroi se biseda ka pasur si qëllim të tij njohjen e administratorit të Albademil dhe president të kompanisë SAC me shpenzimet financiare për procesin e demontimit.

"Shija e atij takimi më la të kuptoja se i gjithë procesi i punës do të përfundonte me sukses sepse kishte një konsensus të plotë të dy administratorëve dhe mbështetjen e tyre, asistencë teknike nga Patrik Henry dhe financiare nga Mihal Delijorgji", theksoi sot gjatë seancës Dritan Minxholli.

Sipas tij në këtë takim bosi i kompanisë SAC kishte firmosur edhe dy kontratat e tij për procesin e demontimit në Gërdec. Gjatë seancës së sotme dëshmuan edhe 5 dëshmitarë. Një prej tyre Haxhi Hoxha tha para gjykatës se ditën e ngjarjes i ndjeri Qemal Deliu kishte salduar në banesën e tij një karrocë, e cila më pas ishte sjellë sërish në fabrikë. Sapo karroca ishte futur në ambientet e fabrikës kishte marrë zjarr, ndërsa në dysheme kishte barut.

Gjykata vendosi sot që më datën 8 shkurt të këtij viti një grup oficerësh të policisë gjyqësore së bashku me avokatët do të bëjnë këqyrjen dhe fotografimin e sendit të gjetur afër me vendin e shpërthimit, send i cili dyshohet të jetë një saldatriçe e cila është përdorur në fabrikën e Gërdecit.

Të pandehur në këtë proces janë 29 persona, të cilët akuzohen për tragjedinë e ndodhur më 15 mars të dy viteve më parë në fabrikë të Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

r.b/NOA

KOMENTE