English

Veteranët: Ndaloni rastet e montuara ndaj ish-UÇK-së

Shkup, 6 shkurt, NOA - Shoqatat e Veteranëve të Ushtrisw Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar lidhur me rastet e montuara dhe dënimet ndaj ish-pjesëtarëve dhe personaliteteve që lidhen me UÇK në Maqedoni. Së fundmi, dënimi me burgim të përjetshëm i kryetarit të Alternativës Kombëtare (AK), Harun Aliu i njohur si ish-komandant Kushtrimi dhe tre personave të tjerë, njëri prej të cilëve Bekim Dardhishta me tre vjet burg, ka shkaktuar revoltën në mesin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Kryetari i OVL të UÇK-së, Besim Hoda ka theksuar se ky proces i montuar sipas tij i drejtohet elitës së luftës së vitit 2001 dhe jo vetëm individëve të caktuar në këtë proces.

"Kjo është e qartë se caku është të goditet figura e Harun Aliut, i cili ka qenë një ndër njerëzit më të rëndësishëm të UÇK-së në terren dhe që ka kontribuar në disiplinën e luftës. Ky gjykim është ndaj UÇK-së dhe një hakmarrje e pastër", ka theksuar Hoda, duke shtuar se kjo bëhet ndaj personaliteteve dhe atyre që nuk pajtohen me nënçmimin dhe nënshtrimin që po e përjetojnë shqiptarët. Edhe SHVL e UÇK-së "Kalaja" ka reaguar ashpër ndaj rastit të dënimit të ish-përfaqësuesit të lartë të UÇK-së dhe se kjo shoqatë ka bërë të ditur se me kohë kishte alarmuar këtë përfundim."Kjo është e papranueshme që të shpallen dënime me burg të përjetshëm. Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga përfaqësuesit ndërkombëtarë për të goditur këto skenarë që vijnë nga mekanizmat institucionale shtetërore. Kjo është një goditje për luftën e UÇK-së, për personalitetet e saj me dinjitet të lartë kombëtar si Harun Aliu, i cili nuk vepron ashtu siç u shkruhet nga organet dhe skenarët maqedonase", ka bërë të ditur SHVL e UÇK-së "Kalaja". Reagimit i është bashkangjitur me një komunikatë edhe Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH). "Dënimi i tre pjesëtarëve të ish UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe Kryetarin e Alternativës Kombëtare, Harun Aliun me burgim te përjetshëm, paraqet edhe një aksion në vazhdën e aksioneve të dhunës dhe terrorit antishqiptar përmes të cilave qeveria e Maqedonisë se bashku me gjyqësinë te komanduar nga vet ajo, tenton të ngjallë revoltë të përmasave të mëdha vetëm e vetëm që destabilizimi eventual i vendit t'u faturohet shqiptarëve", thuhet në komunikatën e BDSH-së, duke kërkuar ndërhyrjen e shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjykata Themelore në Shkup të enjten gjatë një seance gjyqësore dënoi me burg të përjetshëm tre ish-pjesëtarët e UÇK-së, Harun Aliun, Ismail Etemin dhe Bashkim Bajramin, ndërsa Bekim Dardhishtën me tre vjet heqje lirie.

NOA-INA

KOMENTE