English

Politizimi i përhershëm i institucionit muzeal të Muzeut Historik

Tiranë, 11 shkurt, NOA / Nga Milena Selimi - Ekspozita e një viti më parë, "Nderim viktimave të sistemit komunist" në Muzeun Historik Kombëtar, tregoi përveç pjesës së saj të pasqyrimit të krimeve të komunizmit dhe një realitet tjetër: Nevojën për të dokumentuar po kaq mirë dhe kaq cilësisht realitetin e hidhur të represionit gati gjysmëshekullor.

Kuratori i saj Shima, që kishte punuar nën autoritetin e ish-ministrit Ylli Pango, tregoi se çfarë mund të bënte një institucion nëse do të ishte realisht i përkushtuar. "Në fakt është fillimi, - u tha Pango në atë kohë gazetarëve, - sepse ne do të vazhdojmë më tej". Kuptohet nuk ndodhi asgjë e tillë më vonë, ndërsa ideja për ta kthyer në një pavion permanent u dërgua në kalenda.

Ndaj në ditët tona, kur lajmet e ditës e kanë sjellë për publikun, një pyetje është para të gjithëve: Ç'do të bëhet me këtë pavion dhe kush do të jetë fytyra muzeale e antikomunizmit? Këtë, sot, askush nuk e thotë me fjali të prera. Në një intervistë të pak ditëve më parë drejtori Malltezi do të shprehej për vështirësitë e kësaj ndërmarrje dhe punën me fjalët: "Janë materiale për një kategori njerëzish të cilat, aktualisht, nuk pasqyrohen në Muzeun Historik Kombëtar. Prandaj thashë edhe më parë, Muzeu Historik Kombëtar është i politizuar. Muzeu është Kombëtar dhe duhet t'i shërbejë gjithë kombit. Materiali filmik dhe fotografik do të jetë më i pasur sesa ai që kemi parë në ekspozitën e kaluar", ka përfunduar për median e shkruar.

Kuptohet sesa do të realizohet kjo mbetet për të parë. Ajo që është shqetësuese është se gjërat bëhen thjesht me vullnete politike dhe sa për të kaluar momentin. Dhe, më shqetësuese është se ndryshimi i drejtorëve që sjellin komplet dhe platforma të tjera i kanë bërë shumë çështje të kalojnë realisht në kalenda.

Problemi i antikomunizmit ka dalë me dritë të re ditët e fundit pas nxjerrës së eshtrave të shumë të pushkatuarve. Mungesa e identifikimit dhe cinizmi për të fshehur deri tani, tregon se ky pavion është një imperativ. Dhe, mbase nuk mjaftojnë dhe fjalët e drejtorëve apo të Malltezi, që në të njëjtën intervistë do thoshte se: "Kemi mbledhur specialistët më të mirë dhe shpresojmë që shumë të shpejtë të kalojmë në krijimin e pavijonit të genocidit. Do të kemi një bashkëpunim me Arkivin e Shtetit, me Bibliotekën Kombëtare, me Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me muzetë e rretheve, kudo që të ekzistojë materiali". Koha s'pret dhe njerëzit nuk duhet të harrojnë.

Sesa do të realizohet kjo mbetet për të parë, por ndërkohë koha ikën dhe në skenë do dalin ngjarje të tjera, ndërsa Muzeu Kombëtar ka detyrë t'u shfaqë shqiptarëve historinë e vërtetë të tyre.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE