Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Fatmir Sejdiu: Koha që në Veri të ketë rend dhe ligj
English

Fatmir Sejdiu: Koha që në Veri të ketë rend dhe ligj

Prishtinë, 13 shkurt, NOA - "Rend dhe ligj, në kuptimin e sundimit të plotë, jo si diktaturë, jo si tutori ndaj dikujt, por esencialisht si një qasje integruese", ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Z.president, Kosova po shënon dy vjet të pavarësisë së saj; po t'i bënit një bilanc kësaj periudhe, si do ta vlerësonit atë?

- Po them se është një periudhë e dëshmimit të mirë të Kosovës për të qenë shtet sovran dhe i pavarur, pra me pjesën praktike të ecjes së saj me gjithë zhvillimet pozitive që ka pasur; periudhë që ka qenë e kundërt, flas me rezultate, krahas prognozave të këqija që kanë qenë si ogure nga kundërshtarët e pavarësisë. Një periudhë e ballafaqimit me sfida të shumta, një periudhë thjesht e një ecjeje të re të Kosovës edhe në kuptimin e plotësimit të standardeve për të lëvizur më shpejt në proceset integruese. Një periudhë, po ashtu e rëndësishme që ka të bëjë me mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare që jepet në kuptimin e zhvillimit ekonomik për sfidat që i kemi para vetes në këtë drejtim, posaçërisht në mbështetje të rëndësishme të Konferencës së Donatorëve, në mbështetje të vendeve veç e veç dhe në dashamirësinë e shtimit të njohjeve apo angazhimit për shtimin e njohjeve në relacion me shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës. Pra, them se me gjithë pjesën e sfidave normale që i kemi dhe me përballjet e përditshme, Kosova ka treguar një ecje të suksesshme si çdo shtet i ri që ka në nismën e vet, një rrugë që po e quaj normale dhe paralelisht mund të them se në të gjitha këto, lidhet qëndrueshmëria e saj në stabilitet, pavarësisht se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që jeta e Kosovës të hidhet jashtë binarëve. Ne e kemi mbajtur stabilitetin e përgjithshëm të vendit, pra stabilitetin politik dhe ekonomik dhe në këtë kuadër, në radhë të parë gjithmonë shpreh falënderimin më të thellë të mundshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, njëkohësisht edhe për institucionet, për partitë politike, për mbështetjen ndërkombëtare, apo mbështetësit e Kosovës, që nuk kanë qenë të mangët dhe nuk kanë lënë vakum në qëndrimin inkurajues të tyre të vazhdueshëm për të ecur edhe më shpejtë.

Kosovën e kanë njohur 65 vende të botës brenda kësaj periudhe kohore. Mendoni se kjo dinamikë është e mjaftueshme?

- Për ne do të ishte tepër e dëshirës që të kemi përfundimin e ciklit të njohjeve nga gjithë vendet e botës demokratike. Dhe, natyrisht, kjo do të mundësonte një lëvizje edhe më të shpejtë të aderimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, si edhe të shtimit të raporteve bilaterale me vendet veç e veç, në kuptimin e komunikimeve jo vetëm politike, por edhe ekonomike, kulturore dhe shkencore. Por, pavarësisht nga kjo, unë them se numri 65 është një numër i kualitetit të veçantë për Kosovën, pra me peshë, kur kemi parasysh se këtë grup të njohjeve e kanë bërë vendet që e mbajnë më shumë se 60 për qind të GDP-së botërore, pra vendet më të fuqishme, me disa përjashtime; kur kemi parasysh po ashtu se janë ¾ e vendeve të Bashkimit Evropian; kur kemi parasysh se shumica e këtyre vendeve janë anëtare të NATO-s, si dhe kur kemi parasysh se shumica e këtyre vendeve janë anëtare të OSBE-së, pra të disa prej mekanizmave më të rëndësishëm ndërkombëtar. Dhe, po ashtu, e them paralelisht se njohjet nuk do të ndalen. Ka qenë një pengesë e kohës, ju e dini se Serbia me gjithë mbështetësit e saj, është përpjekur në gjithë skutat e dynjasë, them nganjëherë edhe kësisoj, që të bëjë presion apo trysni te vendet që i cilëson mike, apo te vendet që në një formë, apo në formë tjetër dëshirojnë të mbesin ende anash për shkaqe të shqetësimeve eventuale të tyre të brendshme. Dhe, po të njëjtën kohë, me adresimin e kërkesës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Po unë them se gjithë trajtimet që janë bërë edhe në vetë Gjykatën Ndërkombëtare, mbështetja që i është dhënë Kosovës edhe numerikisht, edhe si kualitet, ka dëshmuar arsyeshmërinë e së drejtës sonë, apo të vendimit që kanë marrë përfaqësuesit e popullit në parlamentin e Republikës dhe në të njëjtën kohë them se paralelisht njohjet do të ecin. S'është e thënë vazhdimisht që ka qenë një pritje në numër të menjëhershëm. E di se është një trend normal edhe te vendet tjera, unë marr shembull gjithmonë se ka pasur edhe vende të ish-federatës që pas pavarësimit të tyre kanë shkuar nga 6-7 muaj dhe nuk kanë pasur asnjë njohje.

Pra, Republika e Kosovës në ditët e para, në 24-orëshin e parë, brenda 48 orëve, ka pasur një lëvizje shumë të fuqishme në kuptimin e bekimit, do të thosha, edhe ndërkombëtar të pavarësisë së vendit, po në të njëjtën kohë edhe lëvizje të mëvonshme, pavarësisht obstruksioneve që janë bërë. E dini, në prag të kërkesës në Kombet e Bashkuara, që të miratohet si e arsyeshme kërkesa e Serbisë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare, kemi pasur njohjen nga Portugalia. Menjëherë pas marrjes, të themi, të një qëndrimi "OK", le të shkojë lënda në Gjykatën Ndërkombëtare, kemi pasur njohje nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me shumë vende nga këto që e kanë njohur Republikën e Kosovës, pra si gatishmëri e këtyre vendeve. Por, në të njëjtën kohë, siç potencova edhe më herët, një insistim i vazhdueshëm i tyre në politikat mbështetëse për zhvillimin ekonomik.

Çfarë prisni nga Gjykata Ndërkombëtare?

- Në Gjykatën Ndërkombëtare, Kosova është përfaqësuar mirë, apo shkëlqyeshëm, në mënyrë të dinjitetshme nga një ekip i ekspertëve të angazhuar, natyrisht nën përkujdesjen e vazhdueshmë të Ministrisë së Jashtme dhe them se para argumenteve që janë shtruar, nuk mund të ketë vendim tjetër - s'mund të ketë vendim që i jep të drejtë Serbisë për të thënë që "një vendim që ka marrë Kosova, është jashtë standardeve të së drejtës ndërkombëtare" - absolutisht. Kosova ka pasur të drejtë të vetëvendosë për vetveten, argumentet e saj janë të parrëzueshme dhe e them gjithmonë atë që e kanë thënë latinët e vjetër se para argumenteve s'do të heshtin. Prandaj, unë s'dua të paragjykoj se si do të jetë vendimi i veçantë, pa asnjë formulë, por them paralelisht se s'mund të ketë vendim që arsyeton kërkesën shumë hipokrite të Serbisë për të shembur shtetin e Kosovës - pra në kuptimin formal e juridik, sepse ajo s'mund të bëhet - apo për të goditur të drejtën e popullit të Kosovës që të jetojë i lirë.

Edhe dy vjet pas shtetësisë, Prishtina nuk ka arritur të shtrijë autoritetin e saj në gjithë Kosovën. Ditëve të fundit është debatuar për strategjinë e integrimit të veriut. A ka Kosova fuqi të zbatojë një strategji të tillë?

- Problemet në veri janë probleme të një dekade, por unë them edhe më të hershme, sepse përpjekjet kanë qenë vazhdimisht që të gjenden formula apo kanale eventuale se si do të dëmtohej Kosova edhe në situatat e pas-lirisë së saj, pra pas intervenimit ndërkombëtar. Ju e dini se pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare, që i është dhënë përgjithësisht Kosovës, është toleruar fatkeqësisht prezenca e strukturave paralele që kanë bërë dëm. Këto struktura kanë bërë dëm edhe në interesat e vetë popullit serb, sepse e mbajnë iluzionin dhe e mbajnë peng në ecjet që duhet t'i kenë për perspektivën e tyre. Unë them, se me gjithë këtë pjesë të kohës së kaluar me pasoja, kohët e fundit ka lëvizje pozitive. Për ne është me rëndësi se ky dokument, si strategji e integrimit, hartuar nga Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare, të cilit iu dha dhe mbështetja e Grupit Ndërkombëtar mbështetës në takimin e fundit në Vjenë, është një dokument i mirë, inkurajon thjesht veprimin energjik edhe të Kosovës, institucioneve të saj, por natyrisht edhe mbështetjen ndërkombëtare që duhet të jepet dhe është me rëndësi se nuk është kundër askujt. Realisht, është për interesat e përgjithshme të vendit, është për interesa të themi, edhe separate nëse duam ta quajmë, në perspektivën e gjithë qytetarëve të vendit si etni dhe është, po ashtu, një dokument që ofron shansin e kornizimit të mirë të veprimeve apo lëvizjeve të mira, çfarë duhet të bëhen për të pasur edhe stabilitetitn e vendit. Është koha që në veri të ketë rend dhe ligj, në kuptimin e sundimit të plotë, jo si diktaturë, jo si tutelë apo tutori ndaj dikujt, por esencialisht si një qasje integruese për të siguruar perspektivën e zhvillimit edhe të vetë komunitetit serb, që në këtë rast që është me shumicë i përqendruar në këtë pjesë, si e drejtë e garantuar me realizim apo për realizimin e njerëzve në shtëpitë e veta. Pra, edhe serbët që kanë shkuar të kthehen në pjesët e brendshme të vendit, por të njëjtën kohë edhe shqiptarët dhe boshnjakët të kthehen në pjesën veriore të vendit, që është pjesë, po them në kuptimin integral, e garantuar Ju e dini rolin e veçantë që kanë edhe forca e sigurisë ndërkombëtare apo KFOR-i, por të njëjtën kohë ka edhe garanci politike. Dhe, në këtë kuadër unë them se institucionet e Kosovës nuk do të shkojnë me dhunë. Interesi i tyre është që të shkohet në proces gradual por energjik, pa u ndalur, natyrisht në bashkëpunim edhe me misionin ndërkombëtar, pra sa është edhe pjesa e mandatit të tyre. Me këtë lë të kuptohet se vetë reagimet e disave që janë liderë të strukturave paralele, janë pjesë e alarmit që ata kanë ndezur për shqetësimet që kanë në humbjen e asaj pjese, do ta quaja të fuqisë negative, të energjisë negative, që e kanë zbrazur vazhdimisht edhe ndaj qytetarëve të vendit.

Keni kërkuar eliminimin e menjëhershëm të strukturave paralele, ndërsa keni përjashtuar përdorimin e forcës për një gjë të tillë. Si mendoni ta përmbushni këtë synim?

- Unë s'them se kjo ndodh me sekonda, me minutë apo me ditën e nesërme, por them se duhet të veprohet që ato struktura meqë janë të trajtuar si ilegale, pse të veprojnë më? Duhet të shkohet me proces inkurajues. Duhet të jepet shansi i proceseve demokratike, që njerëzit duhet ta marrin si shans për perspektivën e vet, duhet të organizohen zgjedhjet edhe në komunën veriore të Mitrovicës, si një komunë e re e një qyteti të bashkuar. Për ne është me rëndësi po ashtu që pjesa e gjithë strukturave tjera të ndërtuara me intervenimin serb, qoftë ato që kanë bërë me pjesën politike, ta zëmë nivelet komunale apo diçka tjetër, qoftë ato që kanë bërë me gjyqësor, me sistemin prokurorial, ato që kanë të bëjnë me interferenca të tjera në sisteme, të shuhen. Dhe, unë them se kjo mund të bëhet për një periudhe optimale, s'e them me kohë se do të jetë e vështirë të saktësohet, por në një veprim energjik pa dilemë. Nëse do të shkohet në tolerancë, në kuptimin se "ka kohë të bëjmë nesër, pasnesër, pas një muaji", unë mendoj se nuk do të ketë rezultat të mirë dhe të pritshëm në një afat më të shpejtë. Nëse do të vazhdohet thjesht me këtë trend si ka filluar, që të ketë një kontroll të mirë të hyrje-daljeve në Kosovë, jo si kontroll dhe embargo e lëvizjes së qytetarëve, por si kontroll ndaj krimit të organizuar ekonomik, si kontroll ndaj njerëzve që dëshirojnë të vijnë ta destabilizojnë Kosovën me mesazhe politike, atëherë çështja do të lëvizë më pozitivisht. Këtu nevojitet që institucionet e vendit dhe institucionet ndërkombëtare në këtë strategji të përbashkët të mos zmbrapsen, pra kualiteti kryesisht është në bashkëpunim.

President, të flasim pak për skenën e brendshme politike dhe raportet në koalicionin aktual qeverisës. Janë bërë shume debate për mundësi ndryshimesh brenda tij, për zgjedhje të parakohshme, riformatizim.... Ju si i shihni këto zhvillime?

- Nuk më bie që të ndalem tash dhe të flas për koalicione, për koalicionin qeverisës, për tendencat e ndërtimit të koalicioneve të formave të ndryshme, apo aleancat mes partive politike. Gjithçka është në dorën e subjekteve politike, apo partive që t'i bëjnë ato. Ajo që është e interesit vital për vendin, është që të mbahet stabiliteti i vendit, të mbahet rregullshmëria e ecjes mbi bazën ligjore dhe kushtetuese që të ketë një komunikim dhe relaks të brendshëm të subjekteve politike, pavarësisht nga garat që kanë dhe të ketë një përfundim të mirë të cikleve, këtu flas për këtë cikël të zgjedhjeve që kemi pasur. Dua të shpreh mendimin tim se qytetarët e Kosovës e kanë bërë të veten. Unë mendoj se ka pasur për t'u dëshiruar, punë edhe më e efektshme e pjesës tjetër përcjellëse dhe menaxhuese do të thosha, sepse për herë të parë menaxhohen nga institucionet vendore, sidomos ato që kanë të bëjnë me organizimin edhe teknik, por edhe me organizimet e tjera që kanë të bëjnë me pjesën e shqetësimeve që mund t'i shprehë në kuadër të procesit, ta zëmë për rezultatet, ankesat, shqyrtimet, veprimet, por gjithçka mbi bazë të respektimit të afateve ligjore. Këtu mund të them se mund të bëhet punë edhe më e mirë. Prandaj, për mua është normale gjithmonë të insistoj që të mbahen afatet e rregullta, sepse vendi nuk është në situatë krize të jashtëzakonshme për të krijuar situata të ndërhyrjes së proceseve të parakohshme dhe formave të tjera. Por, nëse partitë politike, subjektet kryesore dhe të tjerët, gjejnë konsensusin se ka nevojë të shpejtohen proceset zgjedhore për një afat tjetër, ajo është çështje e tyre dhe presidenti i vendit, natyrisht se do të ketë konsulta të gjithmonshme me ta. Por, tash për tash, unë flas se është rendi ligjor, apo afatet ligjore, janë këto që janë. Do të thotë, kemi kryer një proces të zgjedhjeve në nivel lokal, do të ketë zgjedhje që janë të papërthushme sipas afatit ligjor, që do të vijnë në kohën e ditur me ligj dhe për çdo lëvizje tjetër ne do të jemi këtu. Po unë them se për ne është me interes të veçantë që stabiliteti i vendit të jetë kushti i parë dhe kualiteti i parë dhe, natyrisht, ky stabilitet do të mbahet edhe me qeverisje të mirë. Ajo do të fokusohet në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve. S'them se janë shfrytëzuar të gjitha potencialet, absolutisht. Ka mundësi pak më tepër. Them gjithmonë, dhe kjo është formulë mbase teorike, po edhe praktikë e sprovuar, asnjë vend nuk është ngopur me demokraci dhe me qeverisje më të mirë, edhe ato që kanë nivele të larta të zhvillimeve të tyre demokratike, pra as Kosova.

Keni marrë oferta nga dy parti politike, fillimisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe pastaj edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, për koalicione para zgjedhore. A u jeni përgjigjur dhe si i vlerësoni ofertat e tilla?

- Jo unë s'kam marrë, unë jam president i vendit. Ato i kanë marrë partitë politike, i ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ajo ka dhënë apo edhe jep përgjigjet e veta. Natyrisht unë s'mund të izolohem nga roli i liderit që kam në këtë parti politike dhe këtë kujdes që duhet të kem për të, por edhe për partitë tjera politike, absolutisht. Mirëpo, çështja e interesave në kuptim të bashkëpunimeve politike është pjesë e fokusit normal të secilës parti politike. Unë them se kjo mbase mund të jetë edhe një ndjenjë e forcimit të bashkëpunimit në relaksimin e klimës politike përgjithësisht, dhe jo për të krijuar front, barriera, apo siç thuhet nganjëherë tabor kundërshtues. Por, në këtë kuadër, unë besoj se LDK-ja ka energjinë e vet që të japë përgjigje edhe për iniciativën e parë. Gjithashtu, besoj që ka dhënë përgjigje edhe për çështjen e iniciativës së dytë, që është dhënë këto ditë, unë s'kam ndonjë përgjigje timen, sepse po të isha përgjigjur, sigurisht se do të ishte interferencë në atë që mua nuk më takon të merrem.

Radio "Evropa e Lirë"

KOMENTE