English

Dhimitër Anagnosti, tashmë edhe në botime

Tiranë, 17 shkurt, NOA, Milena Selimi- TOENA hedh në qarkullim dy botime, "Përrallë nga e kaluara" (skenarë) dhe "Nata e trokitjeve në xham" (dramë), të regjisorit Dhimitër Anagnosti - i njohur dhe i vlerësuar për punën e tij si regjisor edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Në njoftimin për shtyp të TOENA bëhet me dije se: "Përrallë nga e kaluara" dhe "Gjoleka, djali i Abazit" - skenarë të shkruar nga vetë ai, botohen në një libër, ilustruar edhe me skemat e regjisorit, bërë gjatë kohës kur kryheshin xhirimet e filmave në fjalë.

Dy skenarët janë shkruar dhe realizuar si filma në dy kohë kryekëput të ndryshme. E megjithatë të dy kanë njohur suksesin e merituar si në momentin që janë shfaqur për herë të parë, ashtu edhe në vitet në vazhdim.

Çelësi i suksesit të filmave të realizuar prej Dhimitër Anagnostit ka qenë padyshim edhe skenari i shkruar me kujdes. Ky skenar i shkruar nga ai vetë i kanë dhënë mundësinë të ketë përfytyrimin e duhur për skenën e ardhshme.

Libri i dytë "Nata e trokitjeve në xhama" - dramë e shkruar dhe e vënë në skenë në vitin 2000 nga trupa e Teatrit Kombëtar - botohet për herë të parë.

Në kujtesën e shkruar të kulturës sonë kombëtare, vepra e regjisorit, ndoshta më të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti duhet të zërë vendin e duhur. Vonesa në kohë e botimit të tyre i bën edhe më të çmuara veprat e tij letrare. Vlerësimet për të janë të panumërta brenda dhe jashtë vendit.

KOMENTE