English

Regjisorët shqiptarë në kinemanë greke

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Ajo që ndodhi në Tiranë në muajin nëntor duket se po vazhdon bashkëpunimin mes kinemasë shqiptare dhe asaj greke. Kinematografia shqiptare dhe regjisorët shqiptarë në kinemanë greke, ky është titulli i mbrëmjes përkushtuese kinematografike me tre filma të shkurtër të kineastëve shqiptarë, Bujar Alimani, Eno Milkani dhe Neritan Zinxhiria, të cilët përfaqësohen në këtë aktivitet përkatësisht me filmat e tyre "Ga", "Eden i braktisur" dhe "Nusja më e mirë".

Aktiviteti organizohet në ishullin grek Syros me nismën e Bashkisë dhe Prefekturës së Qytetit si dhe Shkollës "Varvakion", me tre filma të përzgjedhur të krijuesve të rinj shqiptarë që jetojnë përkatësisht në Athinë dhe Tiranë. Dy regjisorët shqiptarë Bujar Alimani dhe Neritan Zinxhiria jetojnë në Athinë, ndërsa Eno Milkani, I njohur edhe si bashkëregjisor I filmit "Trishtimi i zonjës Shnajder" jeton në Tiranë duke krijuar kështu një miks me tematikat, po edhe me botëkuptimet e stilet e regjisorëve që do të paraqiten në Qendrën Kulturore të Bashkisë, ku gjithashtu do të paraqiten edhe disa libra shqiptarë, të përkthyer në gjuhën greke midis të cilëve Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Besnik Mustafaj.

Në projeksionet e filmave priten të jenë të pranishëm regjisorët Bujar Alimani dhe Neritan Zinxhiria e filmat do të pasohen nga një referencë kritike prej kritikëve të filmit grek.

m.s/NOA

KOMENTE