English

Viktimat e komunizmit, ngrihet Task-Force

Tiranë, 24 shkurt, NOA - Këshilli i Ministrave me anë të një vendimi të posaçëm ka urdhëruar në mbledhjen e sotme krijimin e një Task-Force për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist.

Ky organizëm do të kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe të ketë në përbërje drejtorin e Arkivave, drejtorin e arkivit të SHISH, drejtorin e arkivës së ministrisë së Brendshme, drejtorin e arkivit në ministrinë e Mbrojtjes, kryetarin e Institutit të të Përndjekurve Politikë etj.

"Task-Forca ka si qëllim kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist. Për realizimin e këtij qëllimi, ajo bashkërendon punën për identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të cilët nuk dihet vendi i varrimit; identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve dhe gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre", parashikon vendimi i qeverisë lidhur me një fakt të tillë.

Më tej, sqarohet se kryetari i Task-Forcës, me kërkesë të kryeministrit raporton pranë kryeministrit edhe për çështje të veçanta.

Qeveria ka ngarkuar më pas ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë si edhe Policinë e Shtetit bashkë me anëtarët e Task-Forcës për zbatimin e këtij vendimi.

n.e/NOA

KOMENTE