English

"Hëna e plotë", kap bandën e drogës në Tiranë

Tiranë, 26 shkurt, NOA - Policia e Tiranës bënë të ditur se ka arrestuar katër persona që njiheshin si shpërndarës të rregullt droge në zonën e Bathores, Kamzës dhe Laprakës në Tiranë. Personat e arrestuar janë, Besmir Koleci, 24 vjeç, Ervis Koleci, 19 vjeç, Xhevat Koleci, 19 vjeç dhe Admir Doda, 24 vjeç.

Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar "Hëna e Plotë". Në momentin e arrestimit u sekuestrua sasia prej 7 kg e 227.2 gr, Cannabis Sattiva.

Policia sqaron se hetimi për kapje e tyre u bë përgjatë 2 muajve, duke aplikuar të gjitha metodat speciale të hetimit.

"Në cilësinë e provës materiale u bllokuan gjithsej sasia prej 7 kg e 227.2 gr, bimë narkotike "Cannabis Sattiva" së bashku me farat si dhe 4 telefona celularë. Materialet hetimore të përpiliara në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale 283/2 të kodit penal, ndërkohë që vazhdon puna hetimore mbi të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet shpërndarje të lëndëve narkotike cannabis sattiva", thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Sipas policisë sasia e lëndës narkotike, u gjend pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në një automjet tip Benz taksi me targë TR 9310 F, lëndë e cila ishte fshehur në pjesën e sediljes së këtij mjeti, me sasi prej 844 gr, ndërsa sasia prej 6177 gr, bimë narkotike e dyshuar si "Cannabis Sattiva" u sekuestrua në banesën e shtetasit Ervis Koleci.

"Po ashtu gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, u gjendën edhe një sasi farëra bimë narkotike "Cannabis Sattiva" me peshë 206.6 gram e cila ishte e ndarë në qese të gatshme me qëllim kultivimin e saj", thuhet në njoftimin e policisë.

m.xh/NOA

KOMENTE