English

Policia organizon kamping dimëror

Viti, 28 Shkurt NOA Policia e Kosovës i kushton një rëndësi të madhe edukimit të rinisë kosovare në shumë çështje që ndërlidhen me fushën e sigurisë individuale dhe më gjerë. Aktivitetet e PK-së me të rinjtë shtrihen në fusha e në forma të ndryshme.

Kështu, zyrtarët e PK-së nga stacioni policor i Vitisë në bashkëpunim edhe me grupet punuese në nivelin komunal të Kllokotit organizuan një kamp dimëror ku morën pjesë 31 nxënës të klasave të shtata dhe të teta nga shkollat fillore të Komunës së Kllokotit.

Prej nxënësve pjesëmarrës të komuniteteve multietnike 16 nxënës janë shqiptarë dhe 15 prej tyre nga komuniteti serb.

Realizimi i këtij projekti të Policisë në bashkësi të Stacionit Policor të Vitisë u mundësua nga donacioni i Kuvendit Komunal të Kllokotit.

"Rëndësia e këtyre organizimeve qëndron në ngritjen e nivelit të bashkëpunimit në mes policisë dhe të rinjve, pastaj arritja e një klime të mirëbesimit reciprok në mes pjesëmarrësve nga komunitete të ndryshme dhe edukimi i rinisë kosovare për çështje që ndërlidhen me fushën e sigurisë" theksoi Rreshteri policor Nexhat Beqiri nga stacioni policor i Vitisë.

"Kampi Multietnik Dimëror" që u organizua në Brezovicë (hotel "Molika") është 3 ditor me program të ngjeshur me disa punëtori dhe aktivitete sportive dhe do të përfundoj sot në mbrëmje.

Sikundër shihni dhe në këto dy foto, në prezantime të ideve, mendimeve, punimeve dhe në përmbledhje të sugjerimeve, rekomandimeve, të gjithë nxënësit u inkurajuan që të përfshihen në mënyrë aktive në të gjitha diskutimet.

Temat të cilat u diskutuan në këto punëtori kishin për qëllim ndikimin në ngritjen e nivelit të edukimit të rinisë kosovare ndaj shprehive të këqija si duhani, pastaj edukimin kundër përdorimit të substancave narkotike si dhe të sigurisë në trafik.

Edhe nxënësit e shkollave të ndryshme nga komuna e Kllokotit shpreheshin të kënaqur me këtë organizim: "Mua më ka pëlqyer shumë organizimi dhe temat e diskutuara dhe jam duke kaluar shumë mirë edhe me pjesëmarrësit tjerë në këtë kampim" theksoi Nemanja Zdravkoviç - nxënës i klasës së shtatë të një prej shkollave fillore të Kllokotit.

Edhe nxënës të tjerë, pjesëmarrës në këtë projekt ndanin e mendimin e ngjashëm:

"Mendoj se është një projekt shumë i qëlluar. Krahas aktiviteteve të ndryshme sportive - skijimit, kemi zënë shoqëri të re dhe informata të mirëseardhura për çështje të sigurisë në komunikacionin rrugor dhe më gjerë" shprehet Mendim Azemi, nxënës i klasës së tetë nga shkolla fillore "Gjon Serreqi" në Kllokot.

Të gjitha këto aktivitete dhe bashkëpunimi në projekte të ndryshme me të rinjtë kosovar tregon përkushtimin e PK-së për një rini të edukuar, të shëndoshë dhe të pasuruar me dituri të reja.

e.r/NOA

KOMENTE