English

Leskaj: Berisha e radikalizoi situatën

Tiranë, 1 mars, NOA - Kryeministri Berisha duhet të përballet me manipulimin e zgjedhjeve, në të kundërt do të përballet me popullin opozitar.

Kjo thirrje i është drejtuar kreut të qeverisë nga selia rozë, përmes deputetes socialiste, Valentina Leskaj, e cila ka pohuar se sot Berisha u fsheh përsëri pas gjykatave në deklaratën e tij për të justifikuar mungesën e vullnetit për zgjidhjen e krizës.

"Për muaj me radhë, teksa përballej me vendosmërinë e aksionit opozitar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, Sali Berisha betohej përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se kishte vullnetin dhe dëshirën për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut", tha Leskaj.

Duke shtuar se Partia Socialiste e ka hedhur hapin a parë drejt sigurimit të transparencës mbi 28 qershorin dhe drejt arritjes së një marrëveshjeje që do të zgjidhte krizën politike, që ka paralizuar vendin.

"Porse kryeministri na dëshmoi se të gjitha këto deklarata kanë qenë veç përpjekje te sforcuara për t'u hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve", tha ajo.

Leskaj shtoi më pas se Partia Socialiste ka pritur këto ditë një përgjigje serioze për ofertën e bërë javën e shkuar në parlament, ofertë që i kontribuon zgjidhjes së krizës, po deri sot nuk ka patur një të tillë.

"Mënyra e sjelljes në seancën e parlamentit nga drejtuesit më të lartë të PD, reagimi i kryeministrit dhe refuzimi i tij, për të dhënë një përgjigje që do ta fuste krizën në rrugën e zgjidhjes, janë prova e qartë e mungesës së vullnetit politik për një hetim të plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit", përfundoi ajo, duke theksuar se Berisha paska kontribuar në radikalizimin e situatës.

n.e/NOA

KOMENTE