Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nga do t'ia mbajë Vetëvendosja?
English

Nga do t'ia mbajë Vetëvendosja?

"Teorikisht, Kurti ka të drejtë kur sovranitetin e UNMIK-ut/EULEX-it tenton që ta zëvendësojë me sovranitetin revolucionar që nuk e pranon rendin ekzistues. Por, praktikisht, kemi të bëjmë me një donkishotizëm revolucionar, ku në afatet e shkurta e të mesme nuk shihet se ekziston asnjë premisë që të realizohet përmbysja e rendit dhe që, të paktën vetëm simbolikisht, ata të bëhen gjykatës të gjykatësve që sot ndjekin penalisht Kurtin dhe Vetëvendosjen"

Nga Shkëlzen Maliqi*

Albin Kurti, i kërkuar nga gjykata, por jo edhe nga policia, e cila bëhet sikur nuk di ku qëndron ai ndonëse vazhdon me aktivitete politike, ka deklaruar për Alsat: "Unë nuk do të dorëzohem në polici vullnetarisht, po ashtu nuk do të shkoj as në seancën e ardhshme që është planifikuar të mbahet më 2 mars, meqenëse konsideroj që EULEX-i është një mision jodemokratik, i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës." Kjo deklaratë e Kurtit më është dukur shumë interesante për dy arsye. Po filloi nga dyta, pohimi se "EULEX-i është mision jodemokratik dhe nuk e pranon pavarësinë e Kosovës", prandaj ai nuk do që t'i nënshtrohet gjykimit që e ka urdhëruar EULEX-i. Ajo që më bën përshtypje, nëse nuk gabohem, është fakti se me këtë Kurti në mënyrë implicite e pranon pavarësinë e Kosovës, e tillë çfarë është. Ky nuk është diskurs që e karakterizon Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që ata në kontinuitet pohonin dhe demonstronin se pavarësia që ka dalë nga Pakoja e Ahtisarit nuk është pavarësi, por një mashtrim kolosal që Kosovën në mënyrë të sofistikuar e lë nën kontrollin e Serbisë. Por tani që, pas dy vitesh të shpalljes së "pavarësisë së rreme", e kemi kuptuar të gjithë se gjërat nuk shkojnë ashtu siç e ka paraparë Ahtisari. E kemi kuptuar po ashtu se ky EULEX që u instalua nuk është mision sipas planit të negociatorit nga Finlanda. Në këtë aspekt, pohimi se, "EULEX-i nuk po e pranuaka pavarësinë e Kosovës", mua më duket si një rehabilitim i heshtur i Planit të Ahtisarit në pikëpamjet deri dje radikale të Kurtit, të paktën sa i përket vlerësimit të arritjes pozitive të 17 Shkurtit të vitit 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës dhe shumica e kompetencave sovrane u bartën te Qeveria e Kosovës, pos atyre "mbikëqyrëse", që përkohësisht edhe Ahtisari ia kishte lënë EULEX-it. Del se edhe vizioni i Ahtisarit ka qenë që EULEX-i të jetë mision kontrollues dhe mbështetës që do të punojë në forcimin dhe avancimin e pavarësisë së Kosovës, dhe jo si ky që kemi tash, një model gjysmak me hezitimin dhe neutralitetin e EULEX-it rreth statusit të pavarur të Kosovës, dhe kjo për arsye se nuk ekziston ende konsensusi i plotë i të gjitha shteteve anëtare të BE-së për njohjen e pavarësisë. Por që Kurti tani e njeh pavarësinë, siç është e gjymtë, dhe do që të angazhohet që ajo të bëhet e plotë, tregon edhe disponimi i tij që të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, si lëvizje që është, apo si parti politike. Edhe pse ende nuk është formuluar qartë, ky është një avancim i madh në vizionin dhe strategjinë e Vetëvendosjes. Nëse Kurti do të pranojë që të futet në garë demokratike për votën e qytetarëve, ky do të jetë sinjal se kjo lëvizje po i afrohet modelit të aktivizimit demokratik, ku nëse pranon rregullat e lojës dhe parimet e garës, nuk mund të mohosh si deri më tani, legjitimitetin e partive të tjera që garojnë për pushtet, si dhe legjitimitetin e Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese. Nga një qëndrim revolucionar që e ka karakterizuar këtë lëvizje më parë, që nuk e ka pranuar vetë sistemin, që ka pamundësuar konsumimin e së drejtës për vetëvendosje të Kosovës, tani kjo lëvizje përcaktohet për një qasje evolutive, që qëllimi kryesor i saj, sovraniteti i plotë i Kosovës, apo edhe më parë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mbi të drejtën e deklarimit plebishitar, të realizohet me metoda demokratike dhe sigurimit të shumicës së votave në garat elektorale. Por ashtu sikur që EULEX-i është një mision gjysmak dhe i pafunksionalizuar, ashtu edhe ndryshimi në qëndrimet e Kurtit dhe të Vetëvendosjes janë gjysmake, ende jo të artikuluara mirë, të mos them edhe kundërthënëse. Këtë e konkludoj nga insistimi i Kurtit se ai ka drejtë të mos e pranojë sistemin dhe ligjet ekzistuese dhe të jetë njëfarëdore instancë jashtë ligjit. Në retorikën revolucionare janë të njohura rastet e komunistëve që kanë deklaruar, kur gjykoheshin nga gjykatat borgjeze, se "nuk i njohin ato gjyqe dhe rendin që sundon". Edhe Kurti vazhdimisht pohon se, "Nuk e njeh gjyqin e EULEX-it". Nga ana tjetër, akuza kryesore e tij kundër EULEX-it është se në Kosovë është instaluar si instancë e sovranit, që vazhdon të jetë legjitimuese e UNMIK-ut ende të pademisionuar, dhe të mbetet instancë që ligji nuk e prek. Në të vërtetë, çdo sovran e ka këtë pozitë në sistemin që ndërtohet mbi bazën e autoritetit të tij. Perandorët dhe mbretërit kanë qenë sovranë që nuk i ka prekur ligji, pos nëse nuk u është mohuar sovraniteti nga sovraniteti popullor dhe i rebelimit revolucionar, i cili ka mundësuar zëvendësimin e instancës sovrane dhe të autoritetit suprem të pushtetit. Teorikisht, Kurti ka të drejtë kur sovranitetin e UNMIK-ut/EULEX-it tenton që ta zëvendësojë me sovranitetin revolucionar që nuk pranon rendin ekzistues. Por, praktikisht, kemi të bëjmë me një donkishotizëm revolucionar, ku në afatet e shkurta e të mesme nuk shihet se ekziston asnjë premisë që të realizohet përmbysja e rendit dhe që, të paktën vetëm simbolikisht, ata të bëhen gjykatës të gjykatësve që sot ndjekin penalisht Kurtin dhe Vetëvendosjen. Për këtë pamundësi sikur janë vetëdijesuar edhe protagonistët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që mendojnë që të futen në rrugën e garës partiake dhe ndryshimeve evolutive, jo atyre revolucionare. Kjo thyerje te Kurti dhe Vetëvendosja, sigurisht se është proces i dhimbshëm. Por, zhgënjimet më të mëdha mund të vijnë më vonë, kur të kuptojnë se sa e gjatë, e lodhshme dhe joeksituese është gara demokratike ku duhet të ndiqen rregullat dhe parimet e tjera për realizimin e idealeve dhe programeve politike.

Marrë nga "Express", Prishtinë

KOMENTE